Ndryshe nga juristët e tjerë, Koci dhe LV pretendojnë se Albin Kurtit nuk i mohohet e drejta për tu zgjedhur.
Është hera e parë që rrëzoi një qeveri.
Këtë, Gjykata Kushtetuese e bëri me aktgjykimin ku konstatoi që Avdullah Hoti nuk i kishte 61 vota kur u zgjedh kryeministër.
Mirëpo vëmendje të madhe mori edhe një pikë tjetër në vendimin e Kushtetueses.
Bëhet fjalë për pikën e cila thotë se asnjë person që ka qenë i dënuar për ndonjë vepër penale me vendim të formës së prerë në 3 vitet e fundit, nuk ka të drejtë të kandidoj në zgjedhje.
Juristë të ndryshëm por edhe vetë ish kryetari i kësaj Gjykate, Enver Hasani, komentuan në lidhje me këtë cështje, që sipas mendimit të tyre ky vendim ia pamundëson të garoj edhe Albin Kurti.
Kjo pasi që kreut të LVV-së, në shtator të viti 2018 i ishte vërtetuar një dënim me burgim me kusht.
Por, interpretim krejt tjetër ka avokati Arianit Koci.
Kjo me arsyetimin se është obligim që ndaj liderit të LVV-së, por edhe të tjerëve, të aplikohet ligji më i favorshëm për ta.
Ndërkohë një ditë më parë, vetë Kurti por edhe këshilltari i tij ligjor, Blerim Sallahu, u treguan të matur rreth kësaj çështjeje, me arsyetimin se do presin publikimin e aktgjykimit të plotë.
Megjithatë, një anëtar i LVV-së në Komisionin Qëndron të Zgjedhjeve, thotë se kjo e fundit nuk ka mundësi që ta interpretojë ndryshe nga ajo se çka deklaron Koci, këtë aktgjykim të Kushtetueses.
Adnan Rrustemi shton se bartës i listës së Lëvizjes në zgjedhjet e ardhshme nacionale pritet që përsëri të jetë Albin Kurti, ndonëse ende ky vendim nuk është marrë në organet e këtij subjekti politik.