E kishte nisur krejt rastësisht. Ndërtimtaria, puna të cilës i kishte hyrë ai, dukej më shumë se një sfidë, një aventurë. Dhe këtë sfidë ai e nis në Cyrih, në marsin e vitit 2011. „Kisha fat që mësova zanatin nga një njeri që ka punuar në ndërtimtari sepse ky nuk ishte zanati im“, fillon me rrëfimin për albinfo.ch, Selman Bici, me origjinë nga Mazgiti i Kosovës.
Pas 10 viteve sa kishte punuar si saldues, kishte filluar si punëtor i thjeshtë në ndërtimtari dhe shumë shpejt, pas dy javëve ia arrin të mësojë zanatin e mjeshtrit. Mandej, pas 6 muajve shefi i kishte sugjeruar që të themelonte një firmë ndërtimtarie. Bici nuk e kishte idenë e as guximin se do të mund t’ia dilte që nga punëtori i thjeshtë në ndërtimtari të arrijë të marrë punë nga Anliekeri, një firmë me renome zvicerane që zhvillon plane, ndërton, mirëmban dhe ofron pasuri të patundshme. Punën te Anlikeri e kishte siguruar nga një firmë ndërmjetësuese, si të gjithë ndërtuesit tjerë.
Madje, ai ka arritur të nisë karrierën e tij në ndërtimtari me një projekt të madh ndërtimi në Cyrih, ndërtimin e pjesës veriore të spitalit Triemli . Atij ose firmës së tij E&E BauGmbH ia besuan ndërtesën 18 katëshe. „Ishte projekti më i madh ngase isha krejt në fillim të kësaj veprimtarie, në ndërtimtari“, thotë Selman Bici..
Ai ishte i sigurt, dhe nuk kishte kthim më prapa. Mobilizoi vetëm 7 punëtorë dhe ia nisi ngritjes së spitalit në Triemli, projekt i filluar me 2 muaj e gjysmë vonesë, për shkak të shpimeve që morën kohë për të vënë bazën e kësaj ndërtese.
Ndërtimtari nga Kosova gjeti mënyrat për të arritur me kohë karshi punëdhënësit duke realizuar projektin në dy etapa duke mbërritur në dhjetor që të kenë 16 ditë plus.
- Realizon planet para kohe
Puna rekorde që bëri firma e Selmanit të befasonte punëdhënësin, përkatësisht Anlikerin. Shefi kryesor i kësaj firme prestigjioze në Cyrih e ka ftuar Selman Bicin në një takim për shprehur habinë se si ka arritur me të realizojë projektin para kohe. Prej atij momenti Selmani fitoi simpatinë e ndërtuesve zviceranë përkatësisht fitoi të drejtën për të marrë punë dhe projekte nga dora e parë nga Anlikeri.
Kuota e ndërtimeve të parakohshme që i realizonte Selmani ishte nga 2 deri 4 muaj. Moti i keq, me shi apo me borë, nuk e ka ndalur ekipin e tij për të realizuar projektet para kohe. „Nuk jemi ndalur. Por kjo, falë edhe ekipit të punëtorëve“, thotë Selmani..
“Për dy aspekte i kam punëtorët të pazëvendësueshëm. Ngase ata punojnë në një kohë të vështirë të sektorit të ndërtimtarisë në Zvicër. Për shkakun se po zhvillohet një lojë e ndytë dhe një konkurrencë jo lojale që nuk ta merr mendja. Bëhet fjalë për kryesit e punimeve. Edhe ne e kemi një limit te çmimeve, por ndodh që vjen dikush dhe ofron çmim minimal. Te ne nuk mund të lejohet që 2-3 punëtorë të deklarohen me letra edhe 20 të tjerë në të zezë ngase ne mendojmë edhe për kohën e pensionit të tyre“, thekson Selman Bici.
Krejt këtë ai e ka arritur me transparencë të plotë me punëtorë legalë dhe me pagesa të mira, që tejkalon edhe kontratën kolektive. Madje loja me çmimet shkatërruese dhe presioni, bëri që Selmani të përshëndetet me Anlikerin në fillim të 2015.
Por, Selmanit i paraqitet sërish shpëtimtari. Ish-shefi i Anlikerit, i cili e ka orientuar në një firmë tjetër. Kontakti i ri ka bërë që Selmanit t’i besohet një projekt tjetër serioz, ndërtimi i një qendre tregtare shumë të njohur edhe për shqiptarët „Letzipark“ në Alstetten të Cyrihut.
Oferta mbërriti në zyrën e firmës së Selmanit. Por, ai kishte telashe se çfarë çmimesh të ofronte në këtë bashkëpunim të ri, për shkak përvojës së keqe me çmimet. Zbritjet prej 15 për qind nuk i ka pëlqyer punëdhënësi i ri Baltensperger AG. Ai nuk ia kishte pranuar çmimet e ulëta. „Kjo më ka bindur se ende ka firma serioze në Zvicër“, thotë Selmani.
Sfida e dytë për Bicin ishte frikësuese. Ajo ishte super sfidë dhe për këtë arsye Selmani kishte kërkuar përforcim nga Isa Cakolli, një ndërtues tjetër shqiptar në Winterthur. Ai mori për detyrë që Qendrën tregtare Letzipark ta ndërtonte me materialin e vet ndërsa vetë kishte vetëm veglat e punës dhe helmetat. Për këtë arsye kërkoi përforcimin e Isa Cakollit me firmën e tij ICB Bodentechnik GmbH.
- Konkurrenca në mesin e shqiptarëve është jo korrekte
Ata arritën që edhe projektin e Letziparkut ta ndërtojnë para kohe edhe përkundër vonesave që ia kishte shkaktuar Steiner.
„Projekti i Letziprakut ka qenë mjaft i vështirë por kemi bërë art“, rrëfen për sfidat në fillim. Selmani i premtoi në muajin maj punëdhënesit „Baltensperger“ që do ta përfundojë projektin 8 katësh deri në dhjetor. „Këtë e kemi arritur në dhjetor duke kryer pllakën e fundit duke mos e ndalur kurrë qarkullimin e veturave derisa sa është kryer projekti“, tha Selmani. Krejt kjo punë e suksesshme i ka siguruar me automatizëm firmës së tij projekte tjera të mëdha ndërtimore.
“Shqiptarët janë duke ndërtuar në Zvicër. Në Letzipark kanë qenë 90 për qind të punëkryesve shqiptarë, por ne nuk e gjemë kompromisin për bashkëpunim. Ne shqiptarët nuk e duam bashkëpunimin, ashtu sikur edhe politikanët“, thotë Selmani duke qenë i hapur për bashkëpunim.
Aktualisht po punon me projekte tjera me BVT dhe me Frütiger, në Banhofstrasse në Cyrih, Matenhoff, etj.
„Më së paku kam dëshirë të qëndroj në zyre“
Selmani kurrë nuk ka bartur kravatë. Duke buzëqeshur thotë se vetëm kur ishte martuar ishte parë me kravatë, përndryshe kurrë nuk e shihni pa rroba të punëtorëve. Selmani ka migruar në Zvicër në vitin 1994, si azilkërkues, fillimisht në Bülach.
„E kaluara ime nuk është pa një angazhim timin politik, ku jam munduar të jap kontributin tim në forma dhe mënyra të ndryshme.
Ai nuk e fsheh dhe tregon se punën e parë e kishte bërë si enëlarës në Hotel “Crone”, ndërsa ka rrëfyer për padrejtësitë që kishte përjetuar për punën që kishte bërë. Pas punës në hotel fillon në ndërtimtari me një firmë zvicerane. Shumë shpejt arrin të bëhet udhëheqës i punëtorëve por pëson një aksident jo edhe të lehtë. Por mund të thuhet se kjo për të ishte fat në fatkeqësi ngase i shpëton rënies së pjese të liftit disa kilogramësh mbi kokë. Selmani rrëfen për ngjarje që i kanë shkaktuar dhimbje pas aksidentit. Tregon për trajtimin jo të mirë në spital për largimin pa të drejtë nga puna dhe për telashet me kompanitë e sigurimit.
Deri në vitin 2001, ai ka „luftuar“ me firmën dhe kompanitë e sigurimeve, ku edhe del triumfues nga kjo padrejtësi që i është bërë Selmanit pas atij aksidenti fatkeq. Nga viti 2000 fillon punë si saldues deri në projektin e parë ndërtimor që e solli deri këtu Selmanin dhe firmën e tij ndërtimore.
Firma e tij numëron mbi 50 punëtorë dhe po rritet vazhdimisht derisa oferta për të nuk kanë ndalur.
/Publireportazh/