Ka ndërruar jetë veprimtari i njohur i çështjes kombëtare shqiptare, Ilmi Ramadani. Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e tij, të cilët me dhimbje të thellë njoftuan ndarjen nga jeta të një njeriu që për dekada dha kontribut të çmuar në shërbim të kombit dhe komunitetit.
Ilmi Ramadani ishte një ndër figurat e hershme të organizimit politik kundër regjimit jugosllav dhe pjesëtar i “Grupit Revolucionar”, së bashku me emra të njohur si Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Kadri Zeka dhe Hydajet Hyseni. Ai ishte i pandalshëm në përfshirjen e tij në proceset çlirimtare dhe shtetformuese të Kosovës, duke u dalluar për përkushtim të palodhur, guxim dhe përkushtim ndaj vlerave të lirisë dhe drejtësisë.
Ramadani mbetet një figurë e respektuar mes bashkëveprimtarëve, miqve dhe të gjithë atyre që patën rastin ta njohin nga afër.
Detajet për ceremoninë e varrimit dhe homazhet do të bëhen të ditura më vonë nga familja.
Ilmi Ramadani lindi më 26 prill 1953 në fshatin Novosellë të Malësisë së Bujanocit. Qysh në rininë e hershme u përfshi në lëvizjet ilegale, duke iu bashkuar më 1973 “Grupit Revolucionar”, një organizatë që vepronte për çlirimin e popullit shqiptar nga regjimi i atëhershëm. Ai ishte pjesë e një celule të këtij grupi së bashku me dëshmorët Rexhep Mala, Kadri Zeka dhe veprimtarin Hydajet Hyseni.
Pas arrestimeve të njëpasnjëshme të anëtarëve të këtij grupi më 1974 dhe 1975, Ramadani u arrestua dhe u dënua si i burgosur politik. Ai kaloi një dekadë të jetës së tij në burgjet e regjimit – fillimisht nga viti 1975 deri në vitin 1980, dhe sërish nga viti 1981 deri në vitin 1990.
Pas lirimit, ai nuk reshti së angazhuari. Gjatë viteve 1994-1996 ishte pjesë e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ), ndërsa nga viti 1996 deri më 1998 shërbeu si anëtar i Këshillit Komunal për Financa në Prishtinë.
Me fillimin e luftës në Kosovë, Ilmi Ramadani iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në vitin 1998, ku shërbeu deri në përfundimin e luftës në vitin 1999.
Pas luftës, ai dha kontributin e tij edhe në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Ishte këshilltar politik në disa nga institucionet më të larta të vendit – pranë Ministrisë së Arsimit, pranë kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, si dhe këshilltar i Ministrit të Punëve të Brendshme në dy mandatet e para të qeverisë Thaçi. Po ashtu, ai ishte këshilltar politik në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Me vdekjen e Ilmi Ramadanit, Kosova humbi një ndër figurat më të përkushtuara të kauzës kombëtare, një njeri që nuk reshti asnjëherë së punuari për liri, drejtësi dhe dinjitet kombëtar.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe bashkëveprimtarëve të tij. Kujtimi për Ilmi Ramadanin do të mbetet i gjallë në historinë dhe ndërgjegjen kombëtare të popullit shqiptar.


















