![](https://infosot.com/wp-content/uploads/2025/01/gjikolli.jpg)
Pas shqetësimeve shëndetësore, pasditën e sotme të 29 Janarit, ka ndërruar jetë në moshën 75 vjeçare ish-Kryetari i Komunës së Pejës dhe avokati i njohur Ferid Gjikolli.
Ferid Gjikolli ka qenë Kryetari i fundit shqiptarë i komunës së Pejës, në vitet 1982-1987 kur edhe është larguar duke mos pranuar sistemin okupues të Serbisë, kur kjo e fundit më pas edhe i suprimoi Kosovës autonominë së vitit 1974 dhe rrjedhimisht edhe të gjitha institucionet vetqeverisëse të deriatëhershme brenda Jugosllavisë.
Në kohën e tij, ndër të rrallët në Jugosllavi, si 21 vjeçar, Ferid Gjikolli kishte kryer fakultetin Juridik ndërsa në moshën 22 vjeçare do dilte Gjykatës i Gjykatës së Qarkut në Pejë.
I ndjeri Ferid Gjikolli, mbahet mend si kryetari që në udhëkryqet e rënda të kohës, ja doli të rreshtohej drejt, në krah të popullatës shumicë shqiptare, duke mos u strukur nën tutelat e regjimit okupator serb që po e gllabëronte Kosovën.
Personaliteti dhe autoriteti i tij tek popullata e Pejës u çmua lartë për veprimet e matura edhe gjatë qeverisjes në krye të Pejës.
I rrethuar nga bashkëpunëtorë dhe personalitete të njohura kombëtare nga Peja, si i ndjeri Riza Lluka (Delegat i Kuvendit të Kosovës, që kundërshtoi amandamentet e Serbisë, për heqjen e autonomisë së Kosovës, të vitit 1974) dhe prof. Ali Sylqa, i burgosur politik dhe veprimtar i çështjes kombëtare, i ndjeri Ferid Gjikolli sa ishte kryetar i komunës së Pejës, edhe pse në nën autoritetin dhe pozicionin që i ofronte ligji, ja doli të bllokonte disa projekte famëkëqija të gatuara në kuzhninat e Serbisë dhe Jugosllavisë, për shkatërrimin infrastrukturor, urbanisitik dhe turistik të Pejës.