Për angazhimin dhe kontributin e tij profesional, në vitin 2012, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është nderuar me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore në fushën e teatrit.
Më 20.03.2017, në Prishtinë, ka ndërruar jetë punëtori shumëvjeçar i Teatrit Kombëtar të Kosovës, mjeshtri dhe dizajneri i ndriçimit, Asllan Hyseni (1952 – 2017). Ai u lind në Gragjenik të Dardanës më 29.06.1952. Në Teatrin Kombëtar të Kosovës ka punuar prej vitit 1980 e këndej, fillimisht si mjeshtër i zërimit e, më pas, si mjeshtër ndriçimi. Në fushën e ndriçimit ka kryer disa kurse dhe trajnime specializimi në Lubjanë, Zagreb dhe Beograd. Përveç në Teatrin Kombëtar të Kosovës, si mjeshtër dhe dizajner ndriçimi, deri në fund të jetës së tij, ka punuar edhe në teatrot e tjera të Kosovës. Për angazhimin dhe kontributin e tij profesional, në vitin 2012, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është nderuar me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore në fushën e teatrit.
Me këtë rast, Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës ka dërguar një telegram ngushëllimi duke shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij të shumtë. “Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës vlerëson se vdekja e Asllan Hysenit është një humbje e madhe për skenën teatrore kosovare. Ai do të mbahet mend dhe do të kujtohet nga ne të gjithë për angazhimin, përkushtimin, bashkëpunimin dhe profesionalizmin e tij në fushën e teatrit. Ne të gjithë lutemi që shpirti i tij të pushojë në paqe në botën e përtejme. Pastë dritë të përjetshme ashtu sikundër dritat e skenës, me të cilat ai, në gjallje të tij, i ndriçoi shfaqjet e shumta teatrore”, thuhet mes të tjerash në telegram ngushëllimin./KultPlus.com