Ndërpritet seanca në rastin “Banjska” shkak mungesa e dëshmitares, seanca tjetër më 16 janar

E publikuar: 17/12/2025 12:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në mungesë të dëshmitares, Dragana Antonijeviq u ndërpre seanca ndaj të tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq. Por, me propozim të prokurorit, Naim Abazi trupi gjykues vendosi që dëshmia e Antonjieviqit që lexohet.

Ndërsa, për dëshmitarin tjetër, Goran Tanevski u tha se do të tentohet të sigurohet dëshmia e tij përmes Gjykatës së Shkupit.

Në seancën e sotme gjyqësore për sulmin terrorist në Banjskë ku të akuzuar janë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, trupi gjykues ka marrë vendim që dëshmia e dëshmitares Dragana Antonijeviq, e dhënë më herët, të merret parasysh pas mungesës së saj në seancë.

Po ashtu, trupi gjykues ka vendosur të pranojë propozimin e palës mbrojtëse që në këtë proces gjyqësor të dëgjohet edhe një dëshmitar tjetër i propozuar nga mbrojtja.

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti tha se dëshmitarja Dragana Antonijeviq sot nuk është prezente në sallë, por që babai i saj dy herë e ka pranuar ftesën e gjykatës.

“Sipas agjendës kemi planifikuar që të dëgjohet dëshmitarja Dragana Antonijeviq e cila nuk prezenton në seancën e sotme gjyqësore, për të cilën që dy herë radhazi ftesën e ka pranuar babai i saj në adresën me të cilën e ka poseduar gjykata dhe thotë se e njëjta gjendet në Serbi”, tha ai.

Prokurori i Shtetit, Naim Abazi tha se pas refuzimit për pranim të ftesës nga dëshmitarja Antonjieviq dhe në mungesë të arsyeve ligjore për këtë refuzim propozon që dëshmia e saj të lexohet dhe të administrohet si provë e drejtpërdrejtë.

“Meqë dëshmitarja është thirrur rregullisht në këtë shqyrtim gjyqësor, por e njëjta ka refuzuar ta pranojë ftesën, duke shprehur vullnetin e saj për të mos dëshmuar pa paraqitur ndonjë arsye ligjore që do t’a justifikonte këtë refuzim. Prandaj, meqenëse gjykata është në situatë të tillë mendoj se janë plotësuar kushtet…që procesverbalet mbi deklaratat e mëparshme mund të lexohen kur dëshmitarët pa arsye ligjore nuk dëshirojnë të dëshmojnë në këtë shqyrtim gjyqësor. Edhe në aspektin procedural janë plotësuar kushtet për faktin se dëshmitarja ka dhënë deklaratë në Prokurori dhe kjo deklaratë është dokumentuar mbi bazën e procesverbaleve procedurale të kësaj prokurorie dhe gjithashtu janë plotësuar kushtet për t’u zbuluar palës mbrojtëse dhe të dëmtuar… Gjykata ka bërë përpjekje reale për praninë e dëshmitares, por pa sukses. Duke u mbështetur në dispozitat përkatëse, propozoj që deklarata e saj të lexohet dhe të administrohet si provë e drejtpërdrejtë në këtë proces gjyqësor”, tha ai.

Edhe avokatët e të akuzuarve propozuan që dëshmia e dëshmitares të lexohet në këtë seancë, por njëkohësisht u kërkua që ajo të thirret sërish nga gjykata për t’u paraqitur në një seancë tjetër.

Mbrojtësi i të akuzuarit Spasojeviq, avokati Lubomir Pantoviq tha se dëshmita e Antonijeviqit nuk është e rëndësishme dhe nuk ka të bëjë me klientin e tij.

“Deklarata e dëshmitares, Dragana Antonijeviq si provë plotësisht jo relevant posaçërisht në asnjë pjesë nuk ka të bëjë me të mbrojturin tim Blagoje Spasojeviq ajo deklaratë ka të bëjë në kontekstin e përgjithshëm të ngjarjes….Unë nuk e kundërshtoj propozimin e prokurorit special”, tha ai.

Mendim të njëtjë pati edhe mbrojtësja e të akuzuarit, Dushan Maksimoviq, avokatja Jovana Filipoviq, ndërsa, mbrojtësi i Vladimir Toliq, avokati Millosh Deleviq ia la gjykatës të vendos.

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, tha se propozimi i prokurorit aprovohet, pasi ka bazueshmëri ligjore.

“Aprovohet propozimi i prokurorit, sepse i njëjti ka bazueshmëri ligjore….. Dëshmitarja edhe pse i është dërguar ftesa, nuk gjendet në Kosovë, por në Serbi. Bazuar në këto shkaqe, lexohet dëshmia e saj”, tha Hoti.

Ndërsa, sa i takon dëshmitarit të fundit të propozuar nga Prokuroria e Shtetit, Goran Tanevski tha se kjo çështje mbetet pezull përkundër që gjykata disa herë ka tentuar të ketë një video-lidhje me të, por për shkak të mungesës së pajiseve në gjykatën e Shkupit ka qenë e pamundur për momentin.

“Ne e kemi dëshmitarin e fundit të prokurorisë, Goran Tanevski në Republikën e Maqedonisë dhe gjykata disa ditë më herët me radhë ka bërë përpjekje për sigurimin e një video-konferencë me gjykatën e Shkupit, por të cilët janë përgjigjur se nuk kanë pajisje, por kanë lënë mundësinë e hapur se në të ardhmen mund të realizohet një lidhje e tillë me gjykatën në Shkup. Deri këto momente nuk kemi konfirmim, kjo çështje do të rri pezull nuk do të vendosim për të“, tha ai.

Gjatë kësaj seanca u propozua nga mbrojtja dëgjimi i dëshmitarit, Millosh Radosalvoviq. Por, prokurori Abazi e kundërshtoi këtë propozim.

“Meqenëse ky dëshmitar nuk është paraqitur brenda afatit ligjor dhe nuk ka pas njoftim paraprak apo të rregullt procedural për ta njoftuar prokurorin, ky propozim është paraqitur me vonesë dhe pa asnjë arsye duke mos respektuar këto afate ligjore. Mbrojtja nuk mund të përfitoj nga shkeljet e veta procedurale dhe pranimi i këtij propozimi do ta cenonte parimin e barazisë së palëve në procedurë. Dëshmitari është jorelevant për këtë çështje, ndërsa propozimi i mbrojtjes është i paqartë dhe i papranueshëm”, tha ai.

Avokatja e të akuzuarit Dushan Maksimoviq, Jovana Filipoviq, tha se qëndrimi i Prokurorisë së Shtetit nuk qëndron, duke theksuar se dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja mund të kenë dijeni relevante për rastin.

“Kjo vërejte e PS-së nuk qëndron, nuk qëndron për faktin se dëshmitarët të cilët janë propozuar mund ta japin dhe kanë dijeni të drejtpërdrejtë dhe jo të drejtpërdrejt në këtë çështje juridike”, tha ajo.

E për këtë propozim, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, njoftoi se aprovohet propozimi i mbrojtjes që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet Millosh Radosalvoviq.

Seanca e radhës në rastin e sulmit terrorist Banjska është caktuar për më 16 janar, në orën 09:30.

Seanca e shqyrtimit fillestar gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska” Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq u mbajt më 17 prill 2025. Po në këtë seancës të tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndaj këtyre tre të akuzuarve Gjykata mori vendin ta veçoj procedurën penale.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiq dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjska të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Të pandehurit ngarkohen për veprat penale kryerja e veprës terroriste, veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit dhe shpëlarja e parave