Delawie, të rinjve të Skenderajt: Përkundër vështirësive, mos hiqni dorë nga ëndrrat

E publikuar: 29/01/2016 15:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Greg Delawie, ka qëndruar në Skenderaj, në ceremoninë e hapjes së Programit “America wih Kosovo”, program ky për maturantët e Skenderajt, të organizuar Ambasada amerikane, Komuna e Skenderajt, mbështetur nga FSK dhe Policia e Kosovës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori Delawie shprehu kënaqësinë që ndodhej mes të rinjve të Skenderajt.

“Jemi këtu që t’ju ndihmojmë që t’i tejkaloni të gjitha ato çështje që mund t’i përjetoni gjatë shkollës së mesme”, ka thënë ai para maturantëve të mbledhur në Qendrën e Kompetencës.

Ambasadori amerikan nxënësve ju rrëfeu një histori interesante të një djaloshi me ngjyrë, që jetonte në kohën kur situata ishte e turbullt në Amerikë – për shkak të problemeve racore – dhe për përpjekjet e sakrificën e këtij djaloshi afrikano-amerikan për t’u shkolluar për drejtësi, si dhe për gatishmërinë për të mbrojtur dhe zhvilluar Kushtetutën e vendit të tij.

Greg Delawie i inkurajojë nxënësit që përkundër vështirësive të moshës së tyre të vazhdojnë përpjekjen e tyre në drejtim të realizimit të ëndrrave të tyre, për dashurinë ndaj vendit të tyre dhe për gatishmërinë për t’i kontribuar atij.

Programi “America with Kosovo” është aktivitet informues për të rinjtë e Skenderajt në drejtim të parandalimit dhe informimit për dukuritë negative, si: krimi, trafikimi me qenie njerëzore, narkomania, ekstremizmi i dhunshëm, përdorimi i pakontrolluar i internetit dhe prostitucioni. Po ashtu, të rinjtë përmes programit mund të informohen edhe me punën e një sërë institucionesh të sigurisë dhe për mënyrën e përfitimit të arsimimit cilësor brenda dhe jashtë vendit. /Telegrafi/