​Nderohen Pajaziti, Zejnullahu e Hoxha: UÇK, përmbylli kapitullin lavdishëm të luftës për liri

E publikuar: 31/01/2026 18:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në një ceremoni solemne të mbajtur në Podujevë, krerët më të lartë shtetërorë, zyrtarë lokalë, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë të shumtë u mblodhën për të përkujtuar 29-vjetorin e rënies heroike të Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës.

Kjo ngjarje, e njohur tashmë si ‘Trinomi i Janarit’, shënon një moment kthese vendimtare në historinë moderne të Kosovës, duke simbolizuar kalimin nga rezistenca politike pasive në kryengritjen e armatosur që kulmoi me çlirimin e vendit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fjalimin e tij e vendosi veprën e ‘Trinomit’ në kontekstin e gjerë historik të përpjekjeve shqiptare për liri gjatë shekullit të 20-të.

Ai theksoi se Zahir Pajaziti me shokë nuk ishin thjesht luftëtarë të rastësishëm, por vizionarë që kuptuan se rruga drejt lirisë kërkonte një qasje të re dhe radikale përballë një agresori të pamëshirshëm.

Kurti nënvizoi se organizimi i tyre ushtarak dhe politik i dha legjitimitet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) para faktorit ndërkombëtar, duke dëshmuar se populli i Kosovës ishte i gatshëm të paguante çmimin më të lartë për dinjitetin e tij.

“Qysh prej krijimit të shtetit shqiptar në vitin 1912 dhe gjatë tërë shekullit XX, sfida dhe synimi kryesor për shqiptarët ishte çlirimi nga Jugosllavia e dominuar nga Serbia dhe bashkimi politik me Shqipërinë. Në këtë periudhë të gjatë rreth tetë dekadëshe, të gjithë ata që janë angazhuar për këtë qëllim sipëror kombëtar e politik, kanë patur dy rrugë të ndryshme, ndonëse përplotësuese të njëra-tjetrës. Rrugën e angazhimit politik, qoftë ai brenda apo jashtë institucioneve të sistemit, si dhe rrugën e kryengritjes së armatosur e të luftës çlirimtare. Në të dyja këto rrugë, historia e ne shqiptarëve ka mbajtur shënim për ngjarje dhe personalitete që jo vetëm me veprën por edhe me jetën e tyre, i kanë shënjuar të gjitha udhëtimet nëpër to. Njerëz që me angazhimin e tyre total, me dedikimin e plotë të vetes së tyre, në kuptimin politik dhe njerëzor, janë përkushtuar për lirinë e atdheut tonë të përbashkët, si vendi ku secili njeri mëson ta dojë”, theksoi Kurti.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, u ndal te rëndësia e kujtesës institucionale. Ai e cilësoi 31 janarin jo vetëm si datë kalendarike, por si një ditë reflektimi dhe përgjegjësie për gjeneratat e sotme.

Bulliqi argumentoi se liria e Kosovës mban vulën e gjakut të dëshmorëve dhe se çdo hap në ndërtimin e shtetit duhet të jetë në përputhje me idealet për të cilat ata u flijuan.

“Gjaku i dëshmorëve nuk është vetëm historia. Është themeli mbi të cilin u ndërtua liria jonë. Në një kohë të errët për Kosovën, kur dhuna, represioni dhe mohimi i të drejtave elementare ishin realitet i përditshëm, këta tre burra u shndërruan në simbol të qëndresës dhe organizimit të armatosur. Ata ishin ndër të parët që e kuptuan se liria nuk dhurohet, por fitohet me guxim, me vendosmëri dhe sakrificë. Rënia e tyre heroike ishte kushtrim e frymëzim për mijëra të rinj e të reja që më vonë do t’i bashkohen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte dëshmi se ideali nuk vritet, se fryma e lirisë nuk shuhet dhe se populli që ka bij të tillë nuk mund të mposhtet. Në këtë ditë kujtese, të 29-vjetorit të rënies së tyre, ndjejmë dhimbje për humbjen e tyre, por mbi të gjitha ndjejmë krenari për guximin e për vendosmërinë që kishin për të luftuar deri në frymën e fundit. Ata e vënë atdheun mbi gjithçka dhe mbi jetën e tyre. Ata zgjodhën rrugën më të vështirë, por më të drejtë, rrugën”, theksoi Bulliqi.

Në emër të familjeve, Bajram Pajaziti, vëllai i komandantit Zahir Pajaziti, përcolli mesazhin e vazhdimësisë dhe qëndresës, duke lidhur luftën e UÇK-së me traditën historike të rezistencës shqiptare, që nga koha e Skënderbeut.

“Vizioni i qartë, çlirimtar, guximi dhe vendosmëria, i bëri prijës të brezit të rezistencës së armatosur dhe grupeve të para guerile, që e hapën rrugën e luftës çlirimtare. Me gjakun e tyre vulosën rrugën e lirisë së Kosovës. Ata ishin dëshmorët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët shndërruan në simbol, u shndërruan në simbol të qëndresës aktive kundër pushtimit serbosllav. Njëherit u shndërruan edhe frymëzim të pashuar për mijëra luftëtarë që iu bashkuan radhëve të UÇK-së. Dua të them që periudha e Ushtrisë Çlirimtare është një epokë e lavdishme në historinë e popullit tonë çlirimtar. Prandaj kemi shumë respekt dhe duhet gjithmonë të respektojmë, të shkruajmë dhe të mbajmë mend për këta njerëz që na erdhën nderin në këtë vend”, tha ai.

Akademia u përmbyll me një program artistik të pasur, ku përmes këngëve dhe recitimeve u evokua shpirti luftarak dhe dashuria për atdheun, duke lënë të kuptohet se ‘Trinomi i Janarit’ mbetet një burim i pashtershëm frymëzimi për Kosovën.

Kjo akademi dëshmoi se edhe pas gati tri dekadash, figura e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës mbetet e paprekur në panteonin e lirisë, duke shërbyer si busull morale për udhëheqësit dhe qytetarët e Kosovës në rrugëtimin e tyre drejt forcimit të shtetit ligjor dhe integrimit euro-atlantik.

Tre heronjtë ranë në pritë nga forcat serbe më 31 janar 1997 në Pestovë të Vushtrrisë.