Që nga marrja e mandatit të kësaj Qeveria, fokusi në Ndërmarrjet Publike ka qenë i madh, mirëpo shumë prej tyre ende po vazhdojnë të operojnë me humbje.
Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ka raportuar në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, për punën e ministrisë në vitin 2022 dhe planin e punës për vitin 2023, raporton Ekonomia Online.
“Posta dhe Telekomi janë përballur me humbje dhe po vazhdojnë të operojnë me humbje, por dukshëm më humbje më të vogla”.
“Infrakos dhe Trainkos po operojnë gjithashtu me humbje. Ndërmarrja ‘Ibër Lepenc’ ka përmbyllur vitin me fitim”.
“Ndërmarrja ‘Trepça’ shkaku i krizave është duke operuar me humbje, por jemi duke monitoruar situatën. Gjithashtu jemi edhe në proces të rivlerësimit të pajisjeve për t’i regjeneruar disa pajisje që janë të vjetra e disa jashtë përdorimit”, tha ajo.
Ndërsa deputeti i VV-së, Armend Muja, ka thënë se viteve të fundit, disa ndërmarrje janë duke operuar me fitim.
Ai ka thënë se në kohën kur PTK-ja ka operuar me humbje, afër katër milionë euro janë shpërndarë për marketing.
“Nga 1 milion që ishte në kohën e humbjeve, në vitin 2014 katër milionë euro janë dhënë për marketing. Pra në kohën kur humbjet e ndërmarrjes ishin shumë të mëdha, janë shpërndarë katër milionë euro për marketing, pra sa më shumë humbje, aq më shumë mjete për marketing”, tha Muja.
Rizvanolli foli edhe për shpenzimet e Telekomit për qira të objekteve.
“Telekomi ka paguar miliona euro për qira, pra shumë objekte janë paguar miliona euro e që i bie që për 20 vjet, 20 milionë euro janë paguar me qira për një objekt në qendër të Prishtinës, e që me këto mjete ka mundur të ndërtohet objekt i ri”, ka thënë ajo, raporton EO.
Ndërsa deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, duke iu kundërpërgjigjur deklarimeve të ministres Rizvanolli për punësime në ndërmarrjet publike, tha se të njëjtën po e bën edhe partia në pushtet.
Lekaj përmendi disa emra për të cilët tha se janë emëruar në pozita të ndryshme të ndërmarrjeve publike.
“Kur jemi te punësimet, çdo herë keni thënë se ka pasur punësime mbi baza partiake. Po ua përkujtoj disa emra. Drejtor i Ndërmarrjes Iber Lepenci” është zgjedhur Faruk Mujka, kryetar dege i VV-së në Mitrovicë. Bujar Billalli është bërë anëtar i bordit të Trepçës, antar i VV-së. Selatin Ratkoceri në Trainkos. Milot Podvorica është militant i VV-së”, deklaroi Lekaj.