Ndërmarrjet publike drejt falimentimit, por punësimet partiake vazhdojnë

E publikuar: 05/05/2019 13:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vetëm pak muaj pasi që shumë prej politikanëve arritën që t’i rehatojnë familjarët e tyre nëpër ndërmarrje publike, këto të fundit po shkojnë drejt falimentimit. Punësimi nisi fillimisht në “Telekom”, e historia e njëjtë po përsëritet edhe me “Pastrimin”. Por, akraballëkut nëpër institucione po i vjen fundi. Javën e kaluar Pastrimi njoftoi se i janë bllokuar xhirollogaritë bankare dhe se gjendet para një kolapsi financiar për arsye te borxhit. Ndërkohë, edhe Telekomit mund t’i vihet dryni shumë shpejt nëse nuk e paguan borxhin 25 milionësh ndaj Devollit.

Ndërmarrjet publike janë kthyer në derë punësimi për familjarët e politikanëve. Shumica e zyrtarëve të lartë të shtetit i kanë rehatuar fëmijët, prindërit e bashkëshortët nëpër “Telekom” e “Pastrim”.

Në mesin e familjarëve të politikanëve që janë rehatuar në këto institucione janë edhe dy djemtë e deputetit nga radhët e AAK’së, Muharrem Nitajt.

Për vetëm një vit, dy djemtë e deputetit Muharrem Nitajt, kanë arritur që të punësohen në dy prej ndërmarrjeve publike në vend.

Genc Nitaj u punësua më 28 gusht të vitit të kaluar, si zyrtar i marketingut në Telekom, ndërsa së fundi vend në një ndërmarrje publike ka zënë edhe djali tjetër, Egzoni.

Ai është punësuar si IT në Kompaninë Rajonale “Pastrimi”.

Në ndërmarrje publike ka arritur që të punësohet edhe reja e nënkryetarit të AAK-së, Pal Lekajt, Dorentina Gashi-Lekaj. Po ashtu, në Telekom është i punësuar edhe bashkëshorti i bashkëpartiakes së Nitajt, Doniak Kada – Bujupi.

Por, vetëm pak muaj pasi që shumë prej politikanëve arritën që t’i rehatojnë familjarët e tyre nëpër ndërmarrje publike, këto të fundit po shkojnë drejt falimentimit. Por, çerdhja e familjarëve duket se shpejt do të prishet nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje.

Një fat i tillë duket se do ta përcjell edhe kompaninë që merret me grumbullimin e mbeturinave në shumicën e komunave të vendit.

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” para pak ditësh kishte njoftuar se i janë bllokuar xhirollogaritë bankare nga Kompania për Menaxhimin e Deponive te Kosovës.

Nga kjo kompani kishin deklaruar se gjenden para një kolapsi financiar për arsye të borxhit që ka ndaj kësaj kompanie.

“Vlera e borxhit është 1.394,449.65 euro borxh, i trashëguar ndër vite që nga koha e pasluftës, ndërsa tarifa e kamatës ligjore është 732,601.82 euro e llogaritur padrejtësisht duke mos u bazuar ne aktgjykimin e Gjykatës qe e rëndon edhe më shumë gjendjen financiare të kompanisë duke arritur gjithsej borxhi 2,157,419.1 euro, e që është e papërballueshme për kompaninë”, thuhet në njoftim.

Fati i njejtë duket se do ta përcjellë edhe Telekomin e Kosovës.

Brenda një jave Telekomit të Kosovës mund t’i vihet ‘dryni’.

Z-Mobile përmes një letre zyrtare i ka kërkuar kryeshefit ekzekutiv të Telekomit, Bedri Istrefi që në një afat brenda dy javësh të kryhet borxhi prej 25 milionë e 900 mijë eurove.

Data e dërgesës së kësaj letre shënon 26 prill 2019, që i bie se Telekomit i ka mbetur edhe një javë kohë që ta paguajë këtë borxh.

E në të kundërtën në letër thuhet se Z-mobile do të fillojë procedurat e përmbarimit.

Ndryshe, lidhur më nepotizmin në përgjithësi në institucionet publike, para disa ditësh është deklaruar edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruairi O’Connell.

Ai ka thënë se emërimet dhe punësimet mbi bazën e familjarizmit, dëmtojnë rëndë punësimin e kuadrove profesionale në Kosovë.

Njëjtë është shprehur të hënën edhe ambasadori amerikan, Philip Kossnet.

Kossnet ka thënë se në Kosovë ka njerëz që marrin pozita qeveritare jo pse kanë kualifikime, por se janë të lidhur familjarisht.

“Ka shumë raporte në Kosovë ku njerëzit marrin pozita qeveritare jo pse kanë kualifikime, por janë të lidhur familjarisht. Një anketë e kohëve të fundit nxori se 20 për qind e të anketuarve mendojnë se meritat janë çelës për hapjen e vendeve të punës në vend”, tha Kossnet.

Për nepotizmin nëpër institucione janë deklaruar ditë më parë edhe Kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli. Të dy kanë pranuar se nuk është situatë e mirë sa i takon punësimeve.

“Po habitëm me disa që e kanë krijuar këtë gjendje, që po mundohen edhe ata të na shesin moral, nuk është mirë. Plot jemi, krejt spektri politik. Kush është i politikës që nuk ka dhënë këso shembujsh në të kaluarën?”,kishte deklaruar Haradinaj.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli kishte thënë se këto raste duhet të ndalen, duke filluar nga partia e tij.

“Partia ime ka disa vite që është në pushtet, por duhet ndalur kjo praktikë që kush e ka më së afërti pushtetin t’i punësojë njerëzit e vet”, deklaroi Veseli.