Kosova, peng i klanit kriminal të një partie autokratike
Artikulli “Mashtruesit që e drejtojnë Kosovën” , paralajmërim për ish-kryeministrin
“SHBA-ja insiston që Gjykata Speciale ta heqë qafe këtë njeri njëherë e mirë dhe përgjithmonë, se përndryshe rrugëdalje tjetër për SHBA-në në këtë drejtim nuk ka, pos alternativës ‘Black Hawk Down II’ që është mësim nga përvoja në Somali më 1993, kur njësitë elite të ushtrisë amerikane ‘Delta’ ishte dashur të intervenojnë me forcë kundër klanit të Muhamed Farah Aididit”, thotë analisti Isa Mulaj
Loja e PDK-së dhe kreut të saj me zvarritjen e votimit të Gjykatës Speciale në Kuvend është bërë temë e medieve prestigjioze ndërkombëtare. Në një tekst të gjatë me titull “Mashtruesit që e drejtojnë Kosovën” e që e ka për autor amerikanin me prejardhje kroate, Chuck Sudetic, Thaçi akuzohet se po e vë në rrezik gjithë Kosovën për t’i ikur ndjekjes së mundshme nga Gjykata Speciale me skenarin e vetë të mashtrimit karshi kërkesave të faktorit ndërkombëtar dhe premtimit të dhënë se Specialja do të bëhet. Në shkrim përshkruhet si shumë i tensionuar takimi me Victoria Nuland, e cila e ka paralajmëruar Thaçin se do të ketë pasoja nëse nuk votohet Gjykata. “Thaçi po sillet si një kafshë e mbyllur në kafaz. Njerëzit në Kosovë do të ishin shumë të lumtur që ta hiqnin qafe Thaçin, por nuk e dinë si ta bëjnë këtë. Thaçi kontrollon qeverinë dhe jetën ekonomike në Kosovë”, ka thënë një diplomat i lartë për një në Prishtinë për autorin e shkrimit. Politikanë dhe analistë kosovarë thonë se fajin për tolerimin e mashtrimeve kaq të mëdha karshi faktorit ndërkombëtar dhe lejimit të instalimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit në institucione e kanë edhe vetë faktorët ndërkombëtar që nuk denoncuan me kohë mashtrimet e Thaçit, shkruan gazeta ‘Kosova Sot’