BE ndalon pataten shqiptare, Panariti: Nuk lejohet bashkë me disa produkte të tjera
Shqipëria e ka të ndaluar të eksportojë patate në Bashkimin Europian. Ministri i Bujqësisë shpjegon arsyet se pse:
“Patatet edhe tuberët e tjera pra zhardhokorët nuk lejohet pasi ka kritere më të forta se sa perimet. duhet të monitorohet toka për pesë vjet pa ndërprerje”, tha Panariti.
Sipas Panaritit, shpresat janë që tregu i BE-së për patatet shqiptare të hapet pas vitit të ardhshëm.
“Ne e kemi nisur monitorimin, na duhet dhe një vit për të përmbyllur fazën monituerese 5-vjeçare dhe pastaj do çojmë parcelat ku do lejohet prodhimi dhe eksporti”, u shpreh Ministri.
Por, patatet nuk janë produkti i vetëm i ndaluar. Edhe eksportet e produkteve me origjinë shtazore si mishi apo qumështi, nuk mund të hyjnë në BE.
“Ne do e përmbyllim këtë vit gjurmushmërinë që është kusht i panegociueshëm, na duhen dhe një milionë euro të mbyllim komplet procesin e matrikullimit të kafshëve”, tha Panariti.
Megjithatë, për disa nga produktet me origjina shtazore Shqipëria i ka përmbushur kushtet e sigurisë dhe tregu është hapur.
“Kemi filluar eksportin e vezëve, po ashtu edhe mjaltin. Ndërkohë që shumë shpejt do synohet eksporti i thundrakëve dhe ai i qumështit dhe mishit”.
Ndërsa perimet e tjera eksportohen pa kufizim dhe vitet e fundit janë një nga zërat me rritjen me të fortë të eksporteve. /tch/