Dy zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) janë arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi janë kapur duke kontrabanduar mallra nga Serbia, në mëngjesin e së enjtes së 1 shkurtit, në Bistricë të Leposaviqit.
Në një njoftim për media, Policia e Kosovës ka thënë se njëri nga të arresturit tashmë është liruar kurse tjetri është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Patrulla policore në magjistralen Mitrovicë-Leposaviq, tek ura e Bistricës në një pikë kontroll ka ndalur veturën me targa zyrtare, pronë e Administrata Tatimore të Kosovës të cilën e drejtonte personi L.P. zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK-së) dhe së bashku me të ishte edhe një pasagjeri T.J. po ashtu zyrtar i ATK-së. Gjatë kontrolli të veturës në fjalë në bagazhin e veturës janë gjetur një sasi e barnave të ndryshme me banderola të Serbisë, për të cilat nuk posedonin dokumentacione.” – thuhet në njoftimin e tyre.
“Mbi bazën e këtyre veprimeve është krijuar dyshimi, se i dyshuari me iniciale L.P. dyshohet se ka kryer veprën penale: ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘kontrabande i mallrave’.” – kanë shtuar në komunikatën e tyre Policia e Kosovës.
“Të gjitha veprimet hetimore kanë qenë të koordinuara me prokurorin kompetent të PPTH-Mitrovicë, ku i dyshuarit L.P. pas intervistës në prezencë të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë. Ndërsa pasagjeri T.J. pas intervistës me urdhër të prokurorit është liruar.” – ka përfunduar Policia e Kosovës.

















