Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se sot kanë marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të betonimit të shtretërve të lumenjve në gjithë Kosovën, duke i dhënë fund një praktike të vjetër, të dëmshme dhe të rrezikshme.
“Fondet publike nuk duhet të dëmtojnë mjedisin e as të rrisin rrezikun nga vërshimet. Sot kemi nxjerrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të betonimit të shtretërve të lumenjve në gjithë Kosovën, duke i dhënë fund një praktike të vjetër, të dëmshme dhe të rrezikshme. Kjo praktikë jo vetëm që ka shkatërruar ekosistemet tona, por ka rritur ndjeshëm rrezikun për përmbytjen e vendbanimeve dhe tokave tona. Betoni nuk është as siguri e as pastërti. Përkundrazi, ai e kthen lumin në një “pistë” ku uji merr shpejtësi marramendëse, duke u kthyer në një kërcënim serioz për pronat e qytetarëve. Duke e lënë shtratin e lumit natyral, ne lejojmë tokën të “marrë frymë” dhe të thithë ujin, duke krijuar një mbrojtje natyrore e të qëndrueshme kundër vërshimeve”, ka thënë Pacolli.
Sipas Pacollit ky ndalim nuk cenon kontratat ekzistuese, por kërkon përshtatjen e tyre teknike me standardet mjedisore.
“Duhet të garantojmë që mjetet publike të shpenzohen vetëm në projekte që mbrojnë natyrën dhe rrisin sigurinë e jetës. Ky është zotimi ynë për të ardhmen. Po mbyllim kapitullin e betonit të ftohtë për të hapur epokën e restaurimit të jetës. Lumenjtë e Kosovës do të jenë sërish pasuri e gjallë dhe krenari për gjeneratat që vijnë. T’i lëmë lumenjtë të rrjedhin lirshëm, ashtu siç i ka falur natyra!”, ka thënë Pacolli.


















