Ndalohen vizitat familjare për të burgosurit, masa të reja antiCOVID në burgje

E publikuar: 29/08/2021 11:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Si shkak i përkeqësimit të situatës pandemike në vend dhe vendimit të Qeverisë së Kosovës për masa të reja antiCOVID, ndryshime nga sot do të ketë edhe në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

SHKK ka njoftuar se me qëllim të ruajtjes së shëndetit të të burgosurve dhe stafit nga data 31 gusht deri më 15 shtator do të ndërmerren këto masa:

1. Ndalimin e përkohshëm të gjitha vizitave familjare për të burgosurit në Institucionet Korrektuese;

2. Ndalimin e të gjitha vikendeve në shtëpi për të dënuarit;

3. Ndalimin e punës për të dënuarit jashtë Institucioneve Korrektuese;

4. Ndalimin e vizitave në lokalet e veçanta;

5. Aplikimin e sistemit virtual të komunikimit SKYP për të burgosur për të zhvilluar kontaktet me familjet, sipas rutinës së përcaktuar nga Institucioni;

6. Lejimin e numrit të shtuar të thirrjeve telefonike gjatë kësaj periudhe;

7. Kufizimi i transferimeve të burgosurve (vetëm rastet e domosdoshme);

8. Lejimin e kontaktit të të paraburgosurve me mbrojtësit e tyre për rastet që janë në zhvillim, me masat e parapara në urdhrin paraprak;

9. Masat e ndërmarra me urdhër operativ të datës 20.08.2021, të cilat nuk binë ndesh me këtë urdhër mbesin në fuqi.

“Përjashtim nga ky urdhër janë, Institucioni i Avokatit të Popullit dhe organizatat që bëjnë monitorimin e të drejtave të njeriut, me të cilat MD /SHKK ka marrëveshje mirëkuptimi”, thuhet në njoftimin e SHKK-së,transmeton lajmi.net.

Gjithashtu u tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë bashkërendimin institucional me institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe do të mbajë të informuar opinionin publik rreth hapave në vazhdim./