Ndahet nga jeta Mirjan Hakani

E publikuar: 06/12/2015 13:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Humbje e madhe për sportin shqiptar. Në moshën 54-vjecare është ndarë nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë Mirjan Hakani, një nga emblemat e peshëngritjes shqiptare. Mirjan Hakani ka qenë një ndër peshëngritësat më të talentuar shqiptarë të viteve 80-90, sportisti i Tiranës dhe i Kombëtares, kampion i Shqipërisë në vitet 1982, 1986 ishte një ndër sportistët më popullor në vend, protagonist i dueleve të mëdha dhe të paharrueshme me një tjetër emër të madh të peshëngritjes Aleksandër Kondon, në garat me të cilin ngrinin peshë bashkë me kg e shtangës edhe zemrat e mijëra të pranishmëve që mbushnin Pallatin e Sportit.

Kontributi i tij për sportin nuk rreshti edhe pas mbylljes së karrierës si atlet, pasi Mirjan Hakani vijoi të vinte energjitë e tij në funksion të tij edhe si drejtues i sportit në Bashkinë e Tiranës, në Agjensinë e Shërbimit të Sporteve dhe si shef i klubit shumësportësh Partizani. Dy vjet më parë Hakani ju nënshtrua një ndërhyrjeje të komplikuar në zemër me mbështetjen e qeverisë Shqiptare por gjendja e tij shëndetësore kohët e fundit ishte përkeqësuar ndjeshëm. Bir i një prej pionierëve të kinematografisë shqiptare, rregjizorit Hysen Hakani do të mbahet mend jo vetëm për garat e tij spektakolare në pedanë, por dhe për shpirtin e madh, humorin e batutat e goditura të  një njeriu me zemër të madhe dhe të gatshëm për të transmetuar energji pozitive. Me humbjen e tij mbajnë zi jo vetëm familjarët, miqtë e dashamirësit, por i gjithë sporti shqiptar.