Ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë dhe ish-kryetar i partisë liberale gjermane FDP ndërroi jetë në moshën 54 vjeçare. Westerwelle qe diagnostikuar dy vjet më parë me sëmundjen e leuçemisë.
Momenti më i rëndësishëm në karrierën politike të Guido Westerwelle-s ishin zgjedhjet në vitin 2009. Në këto zgjedhje parlamentare, FDP mori gati 15 përqind të votave. “Ne demokratët e lirë i falendërojmë zgjedhëset dhe zgjedhësit për rezultatin më të mirë që ka arritur FDP që prej themelimit të Republikës Federale të Gjermanisë”, u shpreh atëherë Westerwelle.
Që atëherë Westerwelle pranonte hapur që ishte homoseksual. Partneri i tij i jetës është një menaxher i suksesshëm sporti.
Hans-Dietrich Genscher, ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë ishte mësuesi dhe këshilltari i tij politik. Në këtë traditë ai mori në koalicion me konservatorët drejtimin e Ministrisë së Jashtme gjermane.
Në fillim i pasigurtë në detyrë dhe një person që shkakton debate, ai gradualisht përshtatet me postin e ri. Ëndrrën që kishte ai e kthen në realitet. Vetëm për një kohë të shkurtër punon si jurist, doktori i shkencave juridike hyn pastaj në politikë. Ai bëhet sekretar i përgjithshëm i FDP, më vonë kryetar i partisë.
Si ministër i Jashtëm ai është në vitin 2009 edhe zëvendës i Kancelares. Por ai provokon, acaron dhe në sondazhe për politikanët e preferuar ai përfundon në vendet e poshtme.
Në zgjedhjet në shtator 2013 pastaj vjen katastrofa. FDP nuk arrin kuotën e pesë përqindshit, për herë të parë në historinë e RFGJ kjo parti nuk përfaqësohet në Bundestag.
Pastaj nuk dëgjohet më gjë nga Guido Westerwelle. Në verë 2014 bëhet e ditur se ishte i sëmurë nga leuçemia. Në publik ai del shumë pak.
Për sëmundjen e tij të leuçemisë Westerwelle publikoi vjeshtën e kaluar edhe librin “Midis dy botëve”. Në atë kohë ai kishte shpresë se mund ta vinte në kontroll sëmundjen e kancerit. Në dhjetor atij iu desh të shkojë sërish në spital.
Përpikmëria, lufta në emër të së drejtës dhe angazhimi i vendosur për interesat gjermane, këto ishin meritat e liberalit Guido Westerwelle./dw/