Sfida e cila u prezantua edhe si një finale për vendin e tetë të Konferencës së Perëndimit nisi me 6 pikë të P.J. Tucker.
Phoenix Suns rrit shanset për një biletë në play off pasi kaloi me vështirësi 74-72 New Orleans Pelicans në takimin e zhvilluar në Arizona. Sfida e cila u prezantua edhe si një finale për vendin e tetë të Konferencës së Perëndimit nisi me 6 pikë të P.J. Tucker, i cili i dha kryesimin skuadrës vendase, ndërsa Archie Goodwin, i cili e nisi ndeshjen nga pankina i dha një ndihmesë të madhe ekipit për ta mbyllur pjesën e para në avantazhin e 9 pikëve. Ndeshja krijoi iluzionin e rrugës pa kthim sepse Phoenix e thelloi avantazhin edhe në periodën e tretë ku Wright realizoi 16 pikë dhe 6 bllokime, por në krahun tjetër edhe pse skuadra nga Luisiana nuk e humbi shpresën edhe pse nuk kishte në përbërje Anthony Davis.
Norris Cole realizoi 12 pikë, ndërsa Alexis Ajinca shtoi 10 të tjera për t’i fiksuar shifrat në 57-55. Gjithsesi, Phoenix arriti të mos lëshonte terren pasi Markieff Morris që e mbylli mbremjen me 17 pikë, i dhuroi një sukses të rëndësishëm ekipit të drejtuar nga Jeff Hornacek. Kjo humbje e ngushton diferencën e New Orleans me Oklahoma City për vendin e tetë me një fitore më shumë, ndërsa Phoenix ka një distancë sigurie prej dy suksesesh me ekipin e Kevin Durant. Në sfidat e tjera, New York u mund nga Minesota 95-92, Houston kaloi Denver 118-108, ndërsa Los Angeles Lakers thelloi krizën me një tjetër disfatë kundër Utah Jazz 73-80.