NATO pritet të ftojë Malin e Zi për t’iu bashkuar aleancës ushtarake, pavarësisht kundërshtimeve nga Rusia.
Diplomatë të NATO-s i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se Mali i Zi, shtet me 650,000 banorë, do të ftohet zyrtarisht më 2 dhjetor.
Ministrat e Jashtëm të NATO-s mbajnë sot dhe nesër takime në Bruksel, ndërsa sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg, ka thënë se ftesa për Malin e Zi është në mesin e disa temave në agjendë.
Rusia ka paralajmëruar Malin e Zi se bashkimi me NATO-n do të konsiderohet si një provokim.
Partitë pro-ruse në Mal të Zi, me javë të tëra, kanë organizuar protesta në rrugët e Podgoricës, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Millo Gjukanoviq dhe zgjedhje të parakohshme.
Gjukanoviq ka thënë se qëllimi i tyre është ta bëjnë Malin e Zi të duket i paqëndrueshëm.
NATO, për herë të fundit, është zgjeruar në vitin 2009 me Shqipërinë dhe Kroacinë./rel/