Aleatët e NATO-s janë pajtuar që të vendosin anijet e tyre në Detin Egje për të ndihmuar Turqinë dhe Greqinë që të punojnë kundër grupeve kriminale, të cilat kontrabandojnë migrantë në Bashkimin Evropian.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se forcat greke dhe turke nuk do të operojnë në ujërat territoriale apo në hapësirën ajrore të njëra-tjetrës.
Por, anijet e NATO-s do të mund të lundrojnë në ujërat territoriale edhe të Greqisë, edhe të Turqisë, ka thënë Stoltenberg.
Ai ka shtuar se çdo migrant i shpëtuar në Detin Egje nga NATO-ja do të kthehet në Turqi.
Turqisë i janë premtuar tre miliardë euro nga Bashkimi Evropian për të strehuar migrantët brenda territorit të saj.
Marrëdhëniet midis Greqisë dhe Turqisë – të dyja anëtare të NATO-s – kanë qenë tradicionalisht të tensionuara.