Britania e Madhe ka ndarë informacione me 16 aleatët e NATO, për aktivitetet kibernetike të Rusisë duke iu ndihmuar atyre të luftojnë kërcënimet kundër vendeve të tyre, tha sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt.
Gjatë fjalimit të tij në një konferencë për mbrojtjen kibernetike të cilën NATO po e mban në Londër, ministri Hunt akuzoi shërbimet e inteligjencës ruse për ndërmarrjen e një fushate globale për të kompromentuar rrjetet e qeverive.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se NATO është e gatshme të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të iu përgjigjur sulmeve kibernetike.
“Duhet vetëm prekja e një butoni për të dërguar një virus që përhapet anembanë botës, por kërkon një përpjekje globale për ta ndaluar atë nga shkaktimi i kaosit”, tha Stoltenberg.
Vërejtjet e Hunt dhe Stoltenberg pasqyrojnë tensionin e vazhdueshëm mes Rusisë dhe Perëndimit, ku qeveritë kanë akuzuar Moskën për përdorimin e sulmeve kibernetike dhe aktivitetin në media sociale për të mbjellë grindje jashtë vendit dhe për të rritur ndikimin e saj global. /REL