Barcelona mbytet në sfidën e parë të Superkupës së Spanjës duke u rrëzuar si një kështjellë rëre në “San Mames” përballë Athletic Bilbaos që zhvilloi një 90 minutësh perfekt për të marrë një fitore të rëndësishme ndaj kampionëve të Europës. Katalanasit munden 4-0 në shtëpinë e skuadrës baske, çka e bën shumë të vështirë misionin për të prekur 6 trofe brenda një viti. Që Barcelona e Luis Enriques nuk gëzonte shkëlqimin e zakonshëm kjo u pa qartë që në minutat e para. Javier Eraso tenton një gol të shpejtë që në minutën e 12 por topi përplaset në mbrojtjen katalanase, ndërsa pak sekonda më pas, Mikel San Jose dhuron një gol të denjë për vitrinën e futbollit spanjoll.
14 minuta më pas, Luis Suarez zgjoi Barcelonën duke kërkuar rrjetën e barazimit por topi u devijua në goditje nga këndi. Messi mori situatën në dorë dhe u ngjit në katedër në minutën e parë shtesë pasi provoi me një goditje nga distanca por Gorka Iraizoz u tregua i vëmendshëm. Pjesa e dytë nisi edhe më spektakolare me Pedron dhe Messin goditjet e të cilëve u ndalën pak centimmetra larg vijës fatale, por Aduriz në të 53-ën gjeti rrugën e rrjetës duke ndezur stadiumin “San Mames”. Aduriz tronditi sërish themelet e katalanasve 8 minuta më vonë me një të djathtë. E pabesueshme ajo që ndodhi më pas. Dani Alves shkakton një faull në zonë dhe 11-metërshi për Aduriz është një lojë fëmijësh. Basku shtriu për herë të tretë Ter Stegen duke u shkaktuar një disfatë të rëndë katalanasve që kanë shumë pak shanse për Superkupën e dytë, pas asaj të fituar disa ditë më parë kundër Sevilles në sfidën europiane./ss/