Uragani “Irma” që kaloi nëpër brigjet e Floridës e që sipas meterologëve kishte shkallën e kategorisë pesë, ishte stuhia më e fuqishme në 100 vitet e fundit ngase miliona njerëz u paralajmëruan për rrezikun e kësaj stuhie.
Përreth zonës ku ndodhi stuhia ka edhe shumë shqiptarë që punojnë dhe veprojnë atje.
Njëri nga ata është edhe Naser Selmani nga Kosova, i cili jeton në Tampa të Floridës. Ai në një video dërguar për Gazetën Intro, ka thënë se autoritetet e atjeshme i kanë lajmëruar me kohë për çdo lëvizje andaj janë furnizuar me ushqime dhe ujë të pishëm për raste të tilla.
“Autoritetet na kanë urdhëruar që t’i lëmë shtëpitë, të evakuohemi nga këtu dhe të shkojmë në vende më të sigurta. Për këtë janë bërë shumë strehimore në të cilën shumica e popullatës është srehuar. Ashtu edhe unë më familjen time jam larguar në Westley Chapel, kemi qëndruar atje dy ditë, sot jemi kthyer” – është shprehur ai.
Sipas tij nuk ka pasur dëme pasi shtëpinë e kishte mbrojtur me pllaka të drujnta tek dritaret dhe dyert, kurse para garazhave kishte vendosur thasë me zhavor.
“Është një eksperiencë e hatashme pasiqë nuk e din se si të mbrohesh nga fortuna, nga shiu dhe gjëra të tjera. Tani jemi në një fazë ku duhet të kthehemi në jetën normale dhe krejt instancat e këtij rajoni janë duke punuar që të kthehemi në rrjedhat normale të jetës tonë” – ka përfunduar Selmani.
Nga ana tjetër, pa energji elektrike kanë mbetur 13 milionë njerëz, gati dy të tretat e popullsisë në rajonin e Floridës. Dëmet më të mëdha stuhia i ka shkaktuar në ujdhesat Key West dhe Naples, duke shkatërruar shumë shtëpi.















