Një ekzoplanet sa gjysma e madhësisë së Saturnit, i cili ndodhet 700 vjet drite larg tij, ka ujë në atmosferë, njoftoi NASA.
WASP-39b ndodhet në konstelacionin e Virgjëreshës dhe të dhënat nga teleskopët Hubble dhe Spitzer zbulojnë se atmosfera e këtij ekzoplaneti përmban ujë, transmeton KP.
Shkencëtarët thonë se ekzoplaneti, i cili ndodhet jashtë Sistemit tonë Diellor, ka më shumë ujë se sa pritej dhe sipas tyre ai është formuar në mënyrë tjetër në krahasim me planetin Saturn.
WASP-39b rrotullohet rreth yllit të tij një herë në katër ditë, në një distancë 20 herë më të afërt se sa Toka që ndodhet larg Diellit. Gjatë ditës, temperaturat mund të arrijnë deri në 776 gradë Celsius, ndërsa natën po ashtu tepër nxehtë për shkak të erërave të fuqishme që përhapin nxehtësi rreth ekzoplanetit.
Edhe pse nuk mund të jetë një vend i mirë për të jetuar, ekspertët thonë se atmosfera e tij mund të ndihmojë për të përmirësuar njohuritë tona mbi planetët dhe proceset në sistemin tonë diellor.
Shkencëtarët fillimisht pritën të gjejnë ujë duke analizuar gjurmët e përbërësve të ndryshëm në atmosferën e ekzoplanetit, por ata nuk ishin të përgatitur të gjenin aq shumë.
Bazuar në sasinë e lartë të ujit, ekspertët thonë se WASP-39b është formuar larg nga ylli i tij dhe ishte bombarduar me material të akullt.
Më pas, ai ka migruar më afër në një ‘udhëtim epik’ përgjatë sistemit të tij.
“Ekzoplanetët na tregojnë se formimi i planetit është më tepër i komplikuar dhe më konfuziv se sa ne kemi menduar. Kjo është fantastike”, tha Hannah Wakeford nga Instituti i shkencave Space Telescop në Baltimor, Maryland dhe Universiteti Exeter në Devon të Britanisë së Madhe.
“WASP-39b tregon se ekzoplanetet kanë kompozime shumë më të ndryshme se sa ato të Sistemit tonë Diellor. Shpresojmë se ky diversitet që ne shohim në ekzoplanete mund të na ofrojë gjurmë për të kuptuar të gjitha mënyrat e ndryshme se si një planet mund të formohet dhe të evaluojë”, tha bashkautori i studimit, David Ding nga Universiteti Exeter në Devon. /Telegrafi/