Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në tryezën e mbajtur për nderë të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Autizmit, e organizuar nga Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me tri organizata vendore “Autizmi” “Autizmi flet” dhe ANAK.
Ministrja Nagavci në fjalën e saj të rastit ka thënë se, personat që hyjnë në këtë spektër, e posaçërisht fëmijët, përbëjnë një grup i cili pa dyshim ka nevojë për vëmendjen dhe kujdesin tonë të veçantë.
Nagavci theksoi se, e drejta për arsim është një nga të drejtat themelore të secilit njeri, pavarësisht nga dallimet e natyrshme mes nesh si qenie njerëzore, andaj si Ministri qëllimi ynë është të krijojmë kushtet që këto dhunti dhe talente të shprehen në mënyra të shëndetshme, në mënyrë që fëmijët që bëjnë pjesë në spektrin e autizmit të realizojnë potencialin e tyre të plotë, njësoj me shoqet e shokët e tyre bashkëmoshatarë.
Ajo bëri të ditur se, Ministria e Arsimit në vazhdimësi po harton politika për të avancuar dhe harmonizuar me standardet e vendeve evropiane të drejtat e të gjitha grupeve, në veçanti fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore, me qëllim të ndërtimit të praktikave gjithëpërfshirëse.
Në vazhdën e këtyre politikave, Nagavci përmendi punësimin e 200 asistentëve për fëmijë me nevoja të veçanta arsimore dhe ndarjen e mjeteve për punësimin edhe të 300 asistentëve.
Ndër te tjera, ministrja bëri të ditur se është në proces hartimi i UA për rolin dhe detyrat e asistentit, dhe rishikimi i UA për klasat burimore, për qendrat burimore dhe për vlerësimin pedagogjik gjatë vitit 2023, ndërsa vlerësoi se janë përmbyllur me sukses aktivitetet për vitin 2022, si Vit i Aftësisë së Kufizuar të shpallur nga Qeveria e Kosovës.