Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, bashkë me zëvendësministrin, Dukagjin Pupovci, dhe përfaqësues tjerë të MASHTI-t, ka takuar drejtorët e drejtorive komunale të arsimit, me të cilët ka diskutuar rreth përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor.
Në fillim të këtij takimi, ministrja Nagavci ka ngritur çështjen e sigurisë në shkolla, ndërsa ka përmendur edhe rastin e dhunimit të 11-vjeçares si rast që ka tronditur të gjithë.
Ajo theksoi se si ministre e Arsimit do të ketë zero tolerancë ndaj këtyre rasteve, derisa theksoi rëndësinë e themelimit të forumit nacional për siguri në shkolla.
Ministrja Nagavci kërkoi nga drejtorët e DKA-ve vëmendje të veçantë për të parandaluar çdo lloj forme të dhunës në shkolla.
Drejtorët e DKA-ve u deklaruan se janë bërë përgatitjet e duhura për vitin e ri shkollor dhe u pajtuan që 1 shtatori duhet të jetë dita e fillimit të vitit shkollor, transmeton Klankosova.tv
Në këtë takim u diskutua edhe në lidhje me kërcënimin e SBAShK-ut për çështjen e grevës. Ministrja i njoftoi se nga ana e MAShTI-t të gjithë punëtorët e arsimit janë trajtuar në mënyrë të drejtë në projektligjin për paga.
Ministria e Arsimit i ka bërë të gjitha përgatitjet për vitin e ri shkollor, është bërë shpërndarja e teksteve dhe është duke u realizuar edhe shpërndarja e abetares së përbashkët me Shqipërinë.
Gjatë ditës, Nagavci ka takuar edhe Këshillin e Prindërve të Kosovës dhe Këshillin e Nxënësve, të cilët po ashtu u shprehën se mësimi duhet të nisë me kohë dhe nuk ka asnjë arsye që ta pësojnë nxënësit.