Ministrja e Arsimit, Arbëria Nagavci ka kujtuar përvjetorin e 23-të të çlirimit të Kosovës me një shkrim në rrjetin social Facebook.
Nagavci e përmendi NATO’n, SHBA-të, por jo edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Sot shënuam ditën më të rëndësishme të historisë – Ditën e Çlirimit të Kosovës, e cila na sjellë në mendje pamjet emocionuese të 12 qershorit 1999 kur me lule pritëm ushtarët e NATO-s. Ishte kjo dita e parë e lirisë, për të cilën shumë breza ëndërruan, e u flijuan. Në këtë ditë, kujtojmë edhe dhimbjet e panumërta që solli lufta mes nesh. Kujtojmë ata që nuk janë më, ata që ranë për liri dhe ata që në mënyra të ndryshme e bënë luftën për ta mbrojtur Atdheun.
Përjetësisht mirënjohës ndaj ShBA-ve, NATO-s dhe të gjithë miqve tanë, të cilët përkrahën luftën tonë! Ta bëjmë lirinë përditë e më të bukur për fëmijët tanë, me punë e përkushtim, sepse sot ky është misioni ynë, kjo është atdhedashuria!”, shkroi Nagavci.
Kujtojmë se një shkrim pothuajse të ngjashëm e bëri edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, e cila përmendi luftën, NATO-n dhe KFOR-in, por nuk e përmendi UÇK-në.