Pronari i dy kompanive, Hamdi Malushaj ka reaguar pasi Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) e ka shkyçur nga rrjeti i energjisë elektrike.
Malushaj ka shkruar në Facebook se bizneset po sulmohen në mënyrë të organizuar, nën heshtjen e institucioneve dhe në bashkëpunim të hapur me ZRRE.
“Na shkëputën nga energjia elektrike, duke nxjerrë punëtorët tanë në rrugë. Këto veprime na rikujtojnë vendimet e padrejta të viteve ’90 – kur i forti vendoste mbi kurrizin e të dobëtit. Kjo është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj ekonomisë, bizneseve dhe familjeve tona. Kërkojmë reagim urgjent dhe solidaritet – sot jemi ne, nesër mund të jeni ju. Ja vendimi dhe ma kanë shkëput rrymën. 1400 bashkëpunëtor në rrugë të cilëve ju bëj thirrje të shkojnë para Qeverisë të kërkojnë llogari dhe vende pune në kushte të njëjta”, ka shkruar ai.
Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se ka filluar shkyçjen e mbi 1,400 pikave matëse të konsumatorëve komercialë që nuk kanë lidhur marrëveshje me ndonjë furnizues të licencuar nga ZRRE-ja, siç parashihet me vendimin e datës 13 gusht të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Kjo e fundit kishte njoftuar se shkyçjet do të nisin më 16 gusht. Kjo pasi shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka vendosur në favor të ZRRE-së.
Sipas njoftimit, mbi 600 njehsorë smart do të shkyçen nga distanca, ndërsa pjesa tjetër do të shkyçet fizikisht nga ekipet e KEDS-it në terren në të gjithë Kosovën.
Ndërkohë ka reaguar, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë rishpreh indinjatën dhe kundërshtimin e fuqishëm ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, e cila ka urdhëruar KEDS-in të nisë shkyçjen e qindra bizneseve që nuk janë pajtuar me kushtet e papranueshme dhe të dëmshme të ofruara nga kompanitë e licencuara, ndërkohë që pjesa tjetër kane bërë marrëveshje të përkohshme, janë në pritje të vendimeve të gjykatave dhe themelimit të institucioneve të reja të vendit, Kuvendit dhe Qeverisë.
Sipas dhomës së tregtisë, liberalizimi i dhunshëm rrezikon të lërë pa punë mbi 22 mijë punëtorë dhe të godasë rëndë ekonominë.
“Ky veprim arbitrar dhe i papërgjegjshëm, po rritë çmimet e konsumit të dy milionë qytetarëve të vendit dhe po rrezikon largimin nga puna të se paku 22 mijë punëtorëve, duke goditur rëndë familjet e tyre, ekonominë e brendshme dhe stabilitetin social në vend”, thuhet në reagim.
















