Myslimanët në Kosovë: ISIS nuk përfaqëson vlerat islame (Video)

E publikuar: 11/07/2015 14:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kërcënimet e fundit të ISIS për sulme terroriste në Kosovë, referuar videos kërcënuese të “Kalifatit”, ku luftëtari Al Kosovi, Ridvan Haqifi, zotohet për sulme me bomba në Kosovë, tashmë kanë marrë përmasa shqetësuese në Kosovë

Kërcënimet u morën seriozisht nga institucionet e Kosovës dhe, informacionet shtesë për sulme të mundshme në Prishtinë dhe Shkup, e vunë policinë në një gjendje gatishmërie.

Por praktikues të fesë islame në Kosovë dënojnë këtë kërcënim, dhe e konsiderojnë organizatën si “terroriste”.

Arian Xhezairi, besimtar, studiues i Shkencave Sociale thotë se ISIS është në kundërvajtje të qartë me fenë islame.

“Për mendimin tim absolutisht ISIS-i dhe islami janë një paralele shumë e gabuar nëse bëhen. ISIS është një organizatë krye në veti që i themi neve në popull, e cila mundohet ta shtyj një kauzë shumë të ngushtë të interesave të një elite, e cila e udhëheq atë”, thotë Xhezairi.

Sipas tij, ata kanë interesa përfitimesh, në dominimin e resurseve të naftës, kontrollit të arit edhe kauzës për destabilizimin e rajonit.

Por, Xhezairi i quan përjashtuese politikat e shtetit në raport me komunitetin shumicë.

“Konkretisht ndaj komunitetit mysliman në Kosovë shteti ka disa politika të cilat janë përjashtuese, jo afruese dhe unë mendoj që është shumë gabim kjo”.

Gjithsesi, për të veprimet e ISIS janë kundër parimeve islame.

“Ka raste në luftërat prej historisë islame është ndalu edhe premja e gjetheve, lere më marrja e jetës së fëmijëve. Ndalohet dëmtimi i pasurisë e lëre më marrja e asaj që është shumë e shenjtë e që është shpirtit të njeriut. A më pak fëmijëve, grave, pleqve”, vëren ai.

Sipas tij duhet kushtuar kujdes interpretimeve të dispozitave fetare, dhe ato nuk duhen lënë në dorën e njerëzve të pakualifikuar apo me qëllime të gabuara.

“Një ajet kuranor, interpretimi i tij, i ajetit, versetit të caktum që bën thirrje, e për shembull, siç e përmendin këta në vrasjen e pabesimtarëve, duhet të interpretohet sipas kuptimit të asaj që neve e qujm ‘mehlesunah’ apo kuptimit të mirëfilltë prej origjinës”, shprehet ai.

Njësoj mendon edhe praktikuesi i fesë islame, Zija Januzi.

“Një organizatë e turpshme, një organizatë e pakuptimtë, një organizatë e cila nuk ka lidhje me islamin. Islami është paqe, islami është mirësi, islami është edukim.

“Ata janë injorantë, për mu janë injorantë, ata nuk kanë të bëjnë me islamin fare”.

Por, besimtari Fehmi Musa, nuk sheh rrezik nga kërcënimet e tilla.

Fehmi Musa, praktikues i fesë prej 10 vjetësh

“Nuk e shoh kurrfarë rreziku për myslimanët e Kosovës. Nëse i kanë kërcënu, i kanë kërcënu serbët e maqedonët të cilët ja duan të keqen Kosovës dhe Shqipërisë. Grekët, domethënë të gjithë armiqtë e islamit po jo shqiptarët”, thotë ai.

Përveçse ai nuk sheh problem që etni të tjera të dëmtohen, i quan ato video-montazhe.

“Nuk e di a i kanë bo ata ato video, apo jon veç montazha. Sot ka arrite teknologjia saqë edhe ty m’qet mue tu t’pre. Tash a do ta besoni ju një gjë të tillë”?

Por sipas një praktikuesi tjetër mysliman, Ibrahim Beqirit, videoja në fjalë duhet ndarë në dy pjesë.

“Pjesa e parë realisht është me qenë i sinqertë, nuk mundem me ja mohu që ka qenë e drejtë, për shkak që realisht myslimanët jo veç në Kosovë, po kërcënohen, po nënçmohen, po maltretohen”, vëren ai.

Por, ai nuk pajtohet me pjesën e dytë të kësaj videoje kërcënuese.

“Muhamed Ali Selam ka thanë: përgëzoni e mos i trishtoni njerëzit. Kështu që duke u bazuar në këtë hadith dhe në shumë hadithe të tjera dhe në ajete kuranore, mendoj që nuk ka asnjë bazë që ata të jenë përfaqësues të islamit”.

E kontaktuar nga Kallxo.com, Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), tha përmes emailit se distancohet dhe nuk përkrah veprime të tilla. Ata bëjnë thirrje që besimtarët mos të bien pre e kësaj propagande.

“Islami si fe, besim nuk predikon dhunë e as imponim, ku Krijuesi i Gjithësisë, ndër të tjera na thotë: “Nuk ka dhunë-imponim në Fe “, pastaj, të mbysësh dikë është si të mbysësh gjithë njerëzinë, ndërsa të shpëtosh një jetë është si të shpëtosh gjithë njerëzinë”, thotë Ahmet Sadriu, zyrtar për informim më BIK.

Baki Kelani, nga Policia e Kosovës, i pyetur për reagimin e policisë ndaj këtyre kërcënimeve, thotë që ata kanë ka kapacitete te mjaftueshme për te parandaluar dhe luftuar ç’do formë të çfarëdo krimi apo vepre penale që bie në kundërshtim me ligjin.

Kelani thotë se policia ka hapur hetime dhe ka ushtruar kallëzime penale për mbi 130 persona lidhur me pjesëmarrjen në organizata terroriste, organizimin, rekrutimin nxitjen dhe financimin e individëve për t’iu bashkangjitur organizatave terroriste dhe për të gjitha këto raste është duke u bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë Speciale.

Në lidhje me këtë fenomen deri më tani janë arrestuar mbi 80 persona dhe janë bastisur mbi njëqind lokacione të personave të dyshimtë.