Myftiu Tërnava ka apeluar te qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të tregohen vigjilent me pandeminë

E publikuar: 02/07/2020 12:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim ef. Tërnava ka apeluar tek popullata dhe tek besimtarët tanë të jenë të kujdesshëm, të tregohen vigjilent me pandeminë”, thuhet në komunikatën e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Ditëve të fundit është shqetësuese gjendja e krijuar te ne nga pandemia Covid 19, siç po shihni kemi një rikthim të pandemisë, rritja e numrit të  infektuarve është brengosëse  për të gjithë, sepse është në pyetje shëndeti publik, shëndeti ynë, shëndeti i njerëzve tanë. Ne i dimë edhe kapacitetet tona që kemi si vend e si institucione, andaj e gjej të rrugës sot që nga këtu edhe njëherë të bëjë apel të popullata që të jenë të ndërgjegjshëm në zbatimin e protokolleve që kanë paraparë institucionet profesionale të vendit. Zbatimi i protokolleve e masave që kanë rekomanduar institucionet është mese i domosdoshëm  për të gjithë ne, duke u nisur gjithsecili nga vetja, nga shtëpitë tona, familjet tona, si në  rrugë, treg, punë, xhami apo kudo që ndodhemi. Apeloj edhe njëherë të popullata, tek besimtarët tanë të  jenë të kujdesshëm, të tregohen vigjilent me pandeminë. Virusi fatkeqësisht është në mesin tonë dhe  po rrezikon shëndetin e popullatës, andaj ftoj edhe një herë që të  ruhet distanca sociale, të shmangen tubimet, dhe të kemi kujdes maksimal për higjienën personale,  të mbajmë e maska e dorëza. Gjithashtu, kërkoj nga besimtarët tanë që me rastin e shkuarjes në xhami të kenë parasysh distancën sociale, mbajtjen e maskave dhe qëndrimin jo të gjatë në xhami. Ndërsa nga imamët kërkoj që ditën e xhumasë mos të zgjasin hytben e xhumasë më shumë se 10 min.

Të nderuar besimtarë,

“Zoti  i Plotfuqishëm në Kuranin Fisnik  na ka  urdhëruar  të ruajmë  shëndetin dhe jetën e njeriut , andaj  e kemi obligim dhe detyrim fetar e njerëzor të ruajmë shëndetin dhe të mbrojmë jetën e njeriut dhe kurrsesi nuk guxojmë që me pakujdesinë tonë  të vëmë në rrezik shëndetin e njerëzve , familjarëve e të dashurve tanë. Edhe njëherë mbështetje, mirënjohje e solidarizim me punën që po bëjnë mjekët në luftimin e pandemisë”, është shprehur Tërnava.