Mbrojtësi Shkodran Mustafi ishte gati të refuzonte ofertën e Arsenalit pas eksperiencës së tij të mëparshme që pati te skuadra tjetër angleze, Everton, pesë vjet më parë. Mustafi 25-vjeçar në një intervistë për “arsenal.com” ka thënë se periudha e kaluar tek Evertoni ishte më e keqja në karrierën e tij si futbollist. Mustafi te të rinjtë e Evertonit kishte kaluar nga Hamburgu.
“Për të qenë sa më i sinqertë unë mendova se e kisha kryer historinë time me Anglinë. Ishte periudha më zhgënjyese dhe ndoshta koha më e keqe që kam pasur në karrierën time si futbollist. Unë nuk doja të kthehesha më në Angli, por kur duhej marrë vendimin për të qëndruar apo për t’u larguar nga Valencia, preferova Anglinë. I jam mirënjohës Arsenalit që më dha mundësinë për të bërë një hap përpara në karrierë. Për pjesën tjetër të jetës nuk dua të flas më shumë. Jam i fokusuar maksimalisht tek Arsenali dhe dua të arrijmë suksese së bashku”, ka thënë Mustafi, shkruan sot “Koha Ditore”.
Reprezentuesi i Gjermanisë, në dhjetor të vitit 2009, kishte luajtur vetëm një ndeshje për ekipin e parë të Evertonit, në kuadër të fazës së grupeve të Ligës së Evropës.