Kryeministrit në largim Isa Mustafës nuk po i pëlqejnë raportimet rreth listës së këtij subjekti për kandidatët që do të garojnë për pozitën e deputetit, në zgjedhjet e 11 qershorit.
Subjekti i tij ka publikuar edhe dje listën zyrtare të personave që do të jenë pjesë e listës zgjedhore, listë kjo që u përfol shumë për shkak se figura të rëndësishme të LDK-së mbeten pothuajse në renditjen e fundit. Madje, disa prej tyre as që u përfshinë në listë, për shkak të qëndrimeve të kundërta me liderin e tyre.
Kryeministri Mustafa i ka komentuar këto raportime duke thënë se në bazë të kësaj shihet qartë se partia e tij është halë në sy e atyre që u mbetet merak të vendosin për LDK-në.
“LDK manovra.. .LDK e shtyri në listë… LDK e nxori nga lista… LDK e LDK gjithnjë në trend. E… LDK vendos vetë! Shihet qartë se LDK është strumbullari i aktualiteteve, por edhe halë në sy e atyre që u mbetet merak të vendosin për LDK-në.
LDK është gjithnjë një hap përpara! Më e demokratizuar, më e hapur, e pakorruptuar e aftë të qeverisë me vendin. Pikë”, është shprehur Mustafa.
Ndërkaq, kujtojmë se pikërisht në këtë listë, deputetja më e votuar e legjislaturës së kaluar Vjosa Osmani u rendit në pozitën e 81-të, madje u diskutua shumë që e njëjta kishte mundësi të mos ishte pjesë e kësaj liste.
Kurse jashtë kësaj liste LDK-ja kishte vendosur që dy deputetët kundërshtues të Demarkacionit Adem Salihaj dhe Shpejtim Bulliqi, të mbeten jashtë garës për deputet.
Qeveria ‘Mustafa’ u rrëzua pas votimit të mocionit që u inicua nga Nisma e Fatmir Limajt, por që mori vendimtare për fatin e kësaj Qeveria ishte ajo e partnerit të koalicionit PDK’së/Express/


















