Mustafa: Zgjedhjet e reja më 2018 – organet e drejtësisë t’i zbardhin vrasjet politike

E publikuar: 12/06/2016 19:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Isa Mustafa ka thënë se zgjedhjet e reja do të mbahen kur të përfundon mandati Kushtetues i Kuvendit të Republikës. Ka thënë se koalicioni me PDK’në po funksionon mirë derisa ka paralajmëruar se do të ketë vlerësim të vazhdueshëm për anëtarët e kabinetit qeveritar. Veç kësaj, ai ka thënë se organet e drejtësisë duhet të punojnë për zbardhjen e vrasjeve politike.
Për qejfin e Isa Mustafës zgjedhjet e reja do të mbaheshin në vitin 2018. Deri atëherë, ai ka thënë se s’do të ketë votime të reja pasi koalicioni LDK-PDK po funksionon mirë.

Ai ka thënë se edhe anëtarët e kabinetit të tij po punojnë për të ngritur cilësinë ne arsim, shëndetësi e ekonomi

“Megjithatë, mund të them se puna e anëtarëve të kabinetit do të vlerësohet në vazhdimësi dhe varësisht prej performancës së treguar do të vendoset për përbërjen e kabinetit qeveritar, deri në fund të mandatit, në vitin 2018”, ka thënë Mustafa për botasot.

Në këtë intervistë, Isa Mustafa ka folur edhe për vrasjet politike të pasluftës. Ka kërkuar nga organet e drejtësisë të kryejnë punën e tyre dhe t’i gjejnë kriminelët.

“Janë organet kushtetuese, të pavarura nga organet e ekzekutivit, të cilat janë të ngarkuara që të merren me hetimin dhe zbardhjen e të gjitha krimeve, e të cilat duhet ta bëjnë punën e tyre në këtë drejtim”, ka shtuar ai.