Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, i ka uruar qytetarët e vendit duke i siguruar se vizioni për Kosovën shtet të lirive dhe të drejtave për secilin qytetar, pa asnjë dallim, do të jetë vizioni udhëheqës edhe në të ardhmen, në secilin hap që bëjnë.
Në urimin e Mustafës thuhet se sot, në Ditën e të Drejtave të Njeriut, populli i Kosovës, dhe institucionet e saj, qëndrojnë fuqishëm në përkushtimin e respektimit dhe zbatimit të të drejtave të njeriut për të gjithë, pa asnjë dallim.
Lexoni urimin e plotë të kryeministrit Mustafa:
Të drejtat e njeriut janë trajtim i barabartë dhe ofrim i mundësive të barabarta për të gjithë.
Sot, në Ditën e të Drejtave të Njeriut, populli i Kosovës, dhe institucionet e saj, qëndrojnë fuqishëm në përkushtimin e respektimit dhe zbatimit të të drejtave të njeriut për të gjithë, pa asnjë dallim.
Me qëllimin madhor për ta bërë Kosovën shoqëri të lirive dhe të drejtave njerëzore, Qeveria e Republikës se Kosovës në punën e saj udhëhiqet nga vlerat që në themelet e saj kanë të drejtat e njeriut dhe respektin për njeriun.
Me këtë rast, uroj të gjithë qytetarët e vendit tonë, për Ditën e të Drejtave të Njeriut, dhe siguroj në emër të Qeverisë së Republikës se Kosovës, se vizioni për Kosovën shtet të lirive dhe të drejtave për secilin qytetar, pa asnjë dallim, do të jetë vizioni udhëheqës edhe në të ardhmen, në secilin hap që bëjmë.