Mustafa udhëton në Spanjë – shtetin më kundërshtues të BE’së ndaj pavarësisë

E publikuar: 20/10/2015 17:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka udhëtuar për në Spanjë, ku do të marrë pjesë në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane (EPP)

Gjatë qëndrimit në Madrid, kryeministri Isa Mustafa do të takohet me udhëheqës të qeverive, si dhe liderë të partive politike të qendrës së djathtë, të shteteve të ndryshme evropiane, njofton kumtesa nga LDK.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të pesë shteteve të BE-së, që ende nuk e kanë marrë vendimin formal për njohjen e Republikës së Kosovës.

Gjatë vizitës në Madrid, më 21 dhe 22 tetor, kryeministri Isa Mustafa do t’i drejtohet Kongresit të EPP-së, ku do të jenë të pranishëm krerë shtetesh dhe udhëheqës të qeverive të dhjetëra shteteve evropiane, që qeverisen nga partitë e qendrës së djathtë.

Partia Popullore Evropiane (EPP) është familje politike e qendrës së djathtë, më e madhja në Parlamentin Evropian që nga fundi viteve ‘90, e cila përfshinë në gjirin e saj parti të mëdha siç është Unioni Kristian Demokratik i Gjermanisë (CDU) i kryesuar nga kancelarja Angela Merkel, apo Partia Popullore (PP) në Spanjë, e kryeministrit Mariano Rajoy, etj.

Lidhja Demokratike e Kosovës është anëtare e EPP-së që nga viti 2012.