Mustafa u thotë prodhuesve vendorë të përgatiten për tregun evropian

E publikuar: 16/01/2016 18:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim përfaqësuesit e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, me të cilët diskutoi për mundësitë e bashkëpunimit dhe përkrahjes së Qeverisë, me qëllim që sektori i prodhimit në vend të forcohet sa më shumë.

Mustafa i njoftoi për masat që ka ndërmarrë Qeveria deri më tani me qëllim të zhvillimit ekonomik, përfshirë Projektligjin për Investime Strategjike dhe Projektligjin për Fondin për Garantimin e Kredive, por edhe aspekte tjera, si marrëveshja me FMN-në, e cila ka siguruar stabilitet makroekonomik në Kosovë.

Në këtë drejtim, kryeministri theksoi domosdoshmërinë që ndryshimet e ardhshme në politikat ekonomike të ndërmerren së bashku me prodhuesit dhe të eliminohen problemet në zhvillimin e tyre, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Me këtë rast, kryeministri Mustafa tha se prodhuesit vendorë duhet të përgatiten që të depërtojnë edhe në tregjet e jashtme, pasi që tanimë Kosova e ka nënshkruar MSA-në dhe se cilësia e mallrave të Kosovës është mjaft e lartë.

Sa i përket MSA-së, kryeministri theksoi po ashtu, se nëse vlerësohet e nevojshme për bizneset, do të punohet së bashku që ato bizneset të jenë sa më të suksesshme në arritjen e efekteve të saj.

Anëtarët e Klubit të Prodhuesve u shprehën të kënaqur me ndryshimet fiskale që janë ndërmarrë, duke veçuar përmirësimet substanciale që kanë lejuar investime në prodhim, në industrinë farmaceutike, por edhe në industritë tjera.

Ata u shprehën se nëse do të vazhdohet me këtë ritëm të politikave ekonomike dhe diskutimeve për problemet e prodhuesve, këto biznese do të kenë kapacitet për të rritur punësimin deri në tre herë më shumë, përderisa kompanitë anëtare të klubit të prodhuesve aktualisht punësojnë rreth 15000 punëtorë.

Më tej, përfaqësuesit e Klubit të Prodhuesve të Kosovës thanë se janë tejet të interesuar që të avokojnë pranë institucioneve për fuqizim të prodhuesve vendorë, për partneritet brenda ekonomisë dhe kjo e gjitha në funksion të zhvillimit ekonomik.

Ky klub promovon prodhimet e Kosovës dhe synon të fuqizojnë produktet e Kosovës në raport me tregtinë e brendshme. Klubi i Prodhuesve të Kosovës, po ashtu, kërkoi që bizneset prodhuese të marrin pjesë në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Kryeministri Isa Mustafa u premtoi bashkëpunim dhe adresim të çështjeve të ngritura nga këto biznese dhe se do të takohen në baza të rregullta me qëllim që të zgjidhen problemet me të cilat ata ballafaqohen.