Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa thotë se bordi i AKP-së do të kompletohet dhe funksionalizohet gjatë muajit prill.
Këtë premtim e dha ai gjatë vizitës në Komunën e Gjakovës, ku pati kërkesa nga kryetarja e kësaj komune, Mimoza Kusari Lila që të merren më shpejtë vendime për disa ndërmarrje dhe për 20 për qindëshin.
Mustafa tha se Gjakova ka përparësi sa i përket projekteve zhvillimore ngase është vend kufitar dhe tha se Gjakova ka traditë të punës.
Premtoi që sapo të funksionalizohet bordi i AKP-së do të merren me kërkesat e Komunës së Gjakovës.
“Nuk e kemi ende bordin e kompletuar të AKP-së. Unë mendoj që gjatë marsit, përkatësisht në prill, do ta kompletojmë bordin dhe do të funksionalizohet, do të trajtohen kërkesat e Komunës së Gjakovës në AKP dhe ne do të krijojmë kushte ligjore me projektligjin mbi ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Ndërmarrjet Publike që Qeveria, përkatësisht Kuvendi, të mundet që në rast se arsyeton kërkesën ekonomike të merr masa që disa nga këto prona t’i vejë në funksion të zhvillimit ekonomik”, tha ai.