Mustafa: Asociacioni themelohet veç në bazë të vendimit të Kushtetueses

E publikuar: 27/01/2016 23:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Isa Mustafa, ka thënë se në dialogun e nivelit të lartë me Serbinë, është diskutuar për zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, si dhe se marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe, mund të implementohet vetëm në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

AI po ashtu ka shtuar se kur vije puna për të votuar në zgjedhjet për Kuvendin e Serbisë, do të respektohet e drejta e serbëve për të votuar po vetëm në përputhje me ligjet e Kosovës.

“Asgjë në lidhje me marrëveshjen për Asociacionin, nuk do të procedohet nëse nuk është në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Mustafa, pas takimit trepalësh të ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, raporton Tanjug, transmeton Klan Kosova.

Mustafa ka thënë se biseda është zhvilluar në një atmosferë konstruktive dhe se është diskutuar edhe për cështjen e njohjes së diplomave dhe për lirinë e lëvizjes.

I pyetur se pse erdhi në Bruksel pasi që kishte thënë se nuk do ta bënte një gjë të tillë pas mos-liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, Mustafa ka thënë se situata me vizat mbetet e papranueshme por se Prishtina duhet të kontribuojë në dialog.

“Ne duam të tregojmë se jemi konstruktivë në normalizimin e marrëdhënieve, dhe mendoj se kemi përmbushur kriteret politike në marrjen e një vendimi pozitiv sa i përket heqjes së vizave”, ka thënë Mustafa.