Mustafa takoi Gjeneralin anti ISIS

E publikuar: 04/06/2015 14:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të enjten në takim Gjeneralin Amerikan John Allen, i Dërguar Special Presidencial në Koalicionin Global Kundër ISIS-it.

Gjenerali Allen e vlerësoi lartë dhe e falënderoi kryeministrin Mustafa për kontributin e çmuar të Qeverisë së Kosovës në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit dhe terrorizmit.

Kryeministri Isa Mustafa e falënderoi Gjeneralin Allen për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën në të gjitha fushat e jetës, përfshirë edhe në angazhimet e Qeverisë së Kosovës në këtë proces.

Kryeministri Mustafa e njoftoi Gjeneralin Allen për angazhimet konkrete të Qeverisë së Kosovës, duke theksuar hapat konkret që janë ndërmarrë në këtë luftë, siç janë Ligji për Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura Jashtë Territorit të Vendit, për hartimin e Strategjisë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit, që shpie në Terrorizëm, që udhëhiqet nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, si dhe përkrahjen e plotë të ofruar për mekanizmat e rendit dhe drejtësisë që të kryejnë detyrat e tyre në këtë drejtim.