Mustafa për zhvillimet brenda LDK-së pas zgjedhjeve: Heshtje kinse për të blerë paqe dhe qetësi

E publikuar: 23/02/2021 13:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri në detyrë i Bujqësisë dhe anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa ka reaguar pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, si dhe ka konstatuar se LDK-së i nevojitet unitet për t’u rikthyer.

Mustafa përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se LDK-ja pak javë pasi që mbushi 31 vjet nga themelimi, preku pikën më të ultë elektorale ndonjëherë: rreth 103 mijë vota, rreth 14-15 deputetë.

Sipas tij, heshtja brenda LDK-së po bëhet për kalkulim të matematikave që të blejnë paqe dhe qetësi, siç tha ai që bëjnë se kinse ka paqe dhe qetësi, bashkëpunim dhe koordinim.

Lexoni më poshtë shkrimin e plotë të Mustafës:

Uniteti për rikthimin e LDK-së

Kjo është një letër që thyen heshtjen. Heshtjen që pretendon të blejë paqe që prodhon të kundërtën e asaj që i duhet partisë.

Heshtja

LDK në zgjedhjet e 14 shkurtit, pak javë pasi që mbushi plot 31 vjet nga themelimi, preku pikën më të ultë elektorale ndonjëherë: rreth 103 mijë vota, rreth 14-15 deputetë.

Përveç dorëheqjes së kryetarit, që derivoi në dorëheqjen e kryesisë, nuk flet askush më asgjë. Në vend të hapjes së debatit të brendshëm, heshtje. Në vend të debatit me këta 103 mijë votues që na mbetën besnik, heshtje. Në vend të debatit me mbi 100 mijë votues që na ikën tash, heshtje. Në vend të debatit me qindra mijëra votues që e braktisën LDK-në nga 2006-ta tutje, heshtje.

Heshtje sepse po kalkulohen matematika që blejnë paqe dhe qetësi, që bëjnë se kinse ka paqe dhe qetësi, bashkëpunim dhe koordinim. Takime në grupe të ngushta, kinse për ta ruajtur partinë, por që në fakt diskutojnë interesa të ngushta. Jo interesin e LDK-së, jo interesin e qytetarëve, jo interesin e Kosovës.

Në vend të analizës dhe diskutimeve të problemeve dhe dështimeve me struktura, anëtarë dhe votues, mbizotëron heshtja për të ruajtur pozicione (çfarë pozicione mund të kemi me 13%, rrokullisur nga 46%, që t’i ruajmë, s’e kam idenë!). Heshtje se “mos po kthehet Vjosa, e mos t’i prishi punët me të” apo “mos po bëhet Luta e nuk më futë në kryesi” apo “e merr partinë Kujta e nuk më jep pozitë”, apo… çfarëdo arsye tjetër për të mos folur, analizuar e debatuar; çfarëdo arsye për të heshtur e kalkuluar.