Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për qeverisje të mirë në PDK, Arben Mustafa, po thotë se tendenca e Qeverisë së Kosovës për të interferuar në punën e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) dhe, rrjedhimisht, manipulimit të statistikave mbi ekonominë paraqet një zhvillim shumë shqetësues për informimin e drejtë të publikut dhe politikëbërjen e përgjegjshme në Kosovë.
“Me 15 shtator 2022, ashtu siç përcaktohet me kalendarin e publikimeve të ASK-së, ky institucion publikoi të dhënat mbi Bruto Produktin Vendor (BPV), ku për vitin 2021 u vlerësua se ekonomia e vendit kishte shënuar një normë reale të rritjes prej 8.1%. Mirëpo, me gjasë ky lajm nuk i pëlqeu përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, të cilët në vazhdimësi kishin proklamuar se në vitin 2021 ekonomia kishte regjistruar një normë dyshifrore të rritjes prej 10.5%. Rrjedhimisht, vetëm disa orë pas publikimit, këto statistika u larguan nga faqja e internetit të ASK-së pa asnjë sqarim për publikun”, tha Mustafa përmes një shkrimi në faqen e tij në facebook.
Ai po ashtu u shpreh se pas pesë ditëve, statistikat mbi Bruto Produktin Vendor u publikuan sërish, por siç specifikon ai, tashmë të korrigjuara për të treguar përsëri një rritje dyshifrore të BPV-së prej 10.75%.
Sipas Mustafës, kjo krijon një bazë të fortë për të besuar se ka pasur trysni mbi Agjencinë e Statistikave të Kosovës për të ndryshuar statistikat në mënyrë që t’i përshtaten qëndrimeve të Qeverisë.
“Manipulimi me statistikat mund të jetë gjë normale për një vend autokratik, por në asnjë rrethanë për një vend demokratik. Një tendencë e tillë manipulimi nuk është parë asnjëherë në Kosovë dhe rrezikon shumë besueshmërinë e statistikave të publikuara”, tha Mustafa.