Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sërish të enjten në përpjekjen e radhës që t’i rifillojë punimet pas bllokadës së krijuar.
Opozita vazhdon të tregohet e vendosur se nuk do të lejojë zhvillimin e seancave, përderisa siç thuhet, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, të mos tërheq nënshkrimet nga marrëveshja me Serbinë për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.
Mirëpo, një ditë para kësaj seance, kryeministri Isa Mustafa ka bërë me dije se proceset nuk mund të kthehen prapa.
Ndërkaq, ai ka rikujtuar opozitën se për marrëveshjet e arritura me Beogradin dhe Podgoricën, ai dhe Qeveria e Kosovës kanë edhe mbështetjen ndërkombëtare.
“Kemi marrë përkrahjen e të gjithëve, edhe të administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për proceset që kemi kapërcyer këtu, edhe sa i përket vendimit për Gjykatën Speciale, edhe sa i përket demarkacionit të kufirit me Malin e Zi edhe katër marrëveshjeve që i kemi arritur në Bruksel me Beogradin, me 25 gusht të këtij viti”, ka deklaruar Mustafa.
Skenari i deritashëm i bllokimit të punës së kuvendit tashmë është i qartë për publikun,sipas të cilit, deputetët e tri partive opozitare, ata të Lëvizjes Vetëvendosje, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma bllokojnë foltoren e Kuvendit.
Një formë e tillë e bllokimit të punës është zbatuar për t’i pamundësuar kryeministrit Mustafa që të raportojë në Kuvend në lidhje me marrëveshjet e arritura me Beogradin në Bruksel.
Më pas, një bllokadë e tillë është kumtuar se do të zbatohet për të gjitha seancat, përderisa, siç thuhet, Mustafa të mos i tërheq nënshkrimet.
Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku,ka deklaruar gjatë një konference për media se zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe do të dezintegronte çdo sektor të shtetit.
“Zbatimi eventual i marrëveshjes për të ashtuquajturin Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, apo më mirë thënë të “Zajednicës”, pasi që ky do të jetë termi i vetëm që do të përdoret në rast të implementimit të marrëveshjes, jo vetëm që sjell dezintegrimin e plotë të Republikës së Kosovës, por normal që sjell edhe dezintegrimin e çdo sektori veç e veç”, ka thënë Mulhaxha.
Pas ndërprerjes së tri seancave për shkak të bllokadës së krijuar, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar gjatë kësaj jave se ai do të përkujdeset që seancat dhe puna në Kuvend të zhvillohet tutje.
Ai e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të mjeteve ligjore që i mundësojnë atij nxjerrjen jashtë me anë të sigurimit të deputetëve që pengojnë seancat dhe mbarëvajtjen e punës së Kuvendit.
Andaj, mbetet të shihet skenari i kryekuvendarit Veseli, se si do ta rinis punën në Kuvend dhe reagimin që eventualisht mund të ketë opozita. /rel/