Mustafa: Nuk ka kompetenca ekzekutive për Bashkësinë/Asociacionin, Kosova do ta ketë prefiksin ndërkombëtar telefonik

E publikuar: 30/06/2015 03:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar pas takimit 17 orësh në Bruksel se është arritur një përparim lidhur me Bashkësinë/Asociacionin e Komunave Serbe dhe telekomunikimet, por delegacioni kosovar nuk ka mundur t’i pranojë kërkesat e palës serbe.

“Ata kanë kërkuar kompetenca ekzekutive për Bashkësinë/Asociacionin, gjë që është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën tonë”, transmeton Klan Kosova.

Mustafa ka thënë se ka përparim për telekomunikimet dhe se është arritur marrëveshja për prefiksin telefonik ndërkombëtar për Kosovën, por marrëveshja nuk është nënshkruar pasi bashkësia ndërkombëtare dëshiron që të katër çështjet e diskutuara të nënshkruhen në pako.

Sipas tij, data e raundit të ardhshëm të bisedimeve do të varet nga ftesa e Federika Mogerinit, përfaqësueses së lartë për politikën e jashtme të BE-së
/express/