Kryeministri Mustafa ka mohuar kushtëzimet e Lista Srpska për krijimin e Ushtrisë së Kosovës dhe se Qeveria e nuk ka asnjë kushtëzim për këtë transformim
Lexoni postimin e plotë të Kryeministrit Mustafa:
Transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, është një proces shumë i rëndësishëm për vendin tonë dhe për stabilitetin e përgjithshëm. Falë përkrahjes së parreshtur nga partnerët tanë strategjik, sidomos nga SHBA, FSK sot është një organizatë e përgatitur mirë dhe e aftë të ofroj siguri në Kosovë dhe rajon dhe të marr pjesë në misionet paqëruajtëse jashtë vendit tonë.
Prandaj, transformimin e saj në Forcë të Armatosur të Kosovës do ta bëjmë duke argumentuar se kjo është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe jo duke adresuar kundërshtarë të të këtij transformimi.
Qeveria nuk ka asnjë kushtëzim për këtë transformim, por ajo vlerëson se duhet të punojmë me tërë spektrin politik kosovar dhe me deputetët e subjekteve që përfaqësojnë popullatën joshumicë për të siguruar përkrahjen e tyre, ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës bëhet duke rikthyer dhe duke ndërtuar besimin reciprok.