I akuzuar nga opozita se i fali Malit të Zi rreth 10 mijë hektarë tokë, Mustafa në Rubikon ka thënë se me dokumente kadastrale kjo gjë nuk qëndron.
Ai e pranoi se nuk e ka thirrur opozitën për këtë çështje pasi që, sipas tij, komisioni e ka bërë punën e vetë dhe se marrëveshja duhet patjetër të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.
Për kryeministrin nuk është çështje e ngutshme ratifikimi i saj dhe për këtë do të presë, madje ka ftuar kreun e AAK-së që të krijojë një komision për të.
“Derisa nuk e ratifikojmë atë në Kuvend, ai nuk është i zbatueshëm, ne nuk kemi nevojë të ngutemi, e kemi lënë mundësinë të hapur për të gjithë. E ftoj edhe Ramush Haradinajn që të marrë ekspertët e tij, të mitë dhe nëse është e domosdoshme po kërkojmë edhe Zhbogar të na sjellë disa ekspertë dhe t’i shikojmë ato harta e nëse gjejmë argumente e ndryshojmë, por as unë e as zotëri Haradinaj nuk jemi ekspert dhe nuk dimë t’i lexojmë ato harta.”
Mustafa tha se nuk ka nevojë që demarkacioni të anulohet sepse nuk ka asnjë argument që thotë se Kosova ka humbur ndonjë centimetër tokë, duke aluduar se opozita po e bën zhurmën për poena politike.
Mustafa: Anëtarët e Asociacionit mund të arrestohen nëse shkelin rregullat kushtetuese dhe ligjet e Kosovës
Shefi i ekzekutivit, Mustafa, në Rubikon, po ashtu ka thënë me bindje se anëtarët e Asociacionit të Komunave Serbe mund të arrestohen nëse shkelin ligjet e Kosovës ose nuk pranojnë të respektojnë vendimet e qeverisë.
Këtë deklaratë ai e dha kur u pyet se çfarë do të ndodhë nëse Qeveria vendos ta shpërbëjë asociacionin, por ai nuk bindet, transmeton Koha.net.
“Qeveria e shpall të jashtëligjshëm Asociacionin nëse nuk iu bindet ligjeve dhe rregullave të Qeverisë së Kosovës. Ata edhe mund ta shpallin qysh sot autonominë, por kjo nuk do t’iu vlente. Por, ata do të detyrohen t’u binden ligjeve të Kosovës, në të kundërtën Institucionet e Kosovës nuk do të kenë qare pa e marrë një veprim të tillë. Ai që e shkel ligjin, çfarëdo nacionalitet që të ketë, mund të përfundojë në burg dhe kjo është e garantuar edhe me marrëveshjen për drejtësi.”
Tutje Mustafa tha se gjitha ligjet e Kosovës do të zbatohen ndaj gjithë atyre që kryejnë krime dhe ritheksoj se Asociacioni nuk do të ndryshojë as kushtetutën e asnjë ligj dhe për këtë dha fjalën e tij.
Mustafa: E anuloj Asociacionin nëse kushtetuesja thotë se është antikushtetues
Pas dy vjetësh, është kthyer në studiot e Rubikonit, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, për të garantuar qytetarët e Kosovës se Asociacioni i Komunave Serbe nuk ka kompetenca ekzekutive.
I pari i qeverisë ka thënë se ka hedhur nënshkrimin në marrëveshjen për asociacionin vetëm pasi ka marrë garancinë e BE-së dhe Amerikës se kjo marrëveshje nuk do të jetë pushtet i tretë në Kosovë.
“Formati i këtij Asociacioni derivon nga marrëveshjet e para për normalizimin dhe relativizmin e marrëdhënieve me Serbinë, asgjë nuk ka jashtë saj. Ne nuk kemi pranuar që të futet asnjë element në marrëveshje që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet tona. Ju e dini, ne nuk kemi pranuar herën e parë të nënshkruajmë marrëveshjen, por pasi kemi marrë garanci nga SHBA-të dhe zyra e Mogherinit se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe që nuk do të jetë pushtet i tretë.”
Por, Mustafa u zotua se nëse kushtetuesja gjen fakte se marrëveshja është kundër ligjeve të Kosovës, atëherë ajo nuk do të zbatohet, pasi, sipas tij, ashtu thuhet edhe në marrëveshje.
“Pikat e marrëveshjes do të dërgohen në Kushtetuese, për të cilat gjykata do të japë vendimin. Dhe nëse del se ndonjë pikë nuk është kushtetuese, ne nuk do t’i zbatojmë ato, por edhe nëse del se e gjithë marrëveshja është antikushtetuese ne atëherë nuk do ta zbatojmë atë. Pra do të vendosë Kushtetuesja për këtë, në të kundërtën marrëveshja duhet të respektohet sepse ne kemi detyrime ndërkombëtare. Po e përsëris edhe njëherë, në qoftë se marrëveshja është antikushtetuese, ne do ta anulojmë atë sepse ashtu e thotë edhe marrëveshja, por edhe nëse nuk do ta thoshte, ne nuk bëjmë diçka kundër-kushtetuese.”
Ai ka treguar se ka arritur të heqë nga marrëveshja pikat që në realitet binin ndesh me Kushtetutën e Kosovës e që, sipas tij, janë dhënia e statusit të shërbyesve civilë punonjësve të asociacionit si dhe mundësinë që Asociacioni të jetë pronar i kompanive të ndryshme.
“Ajo që ne arritëm të largonim nga marrëveshja herën e parë, kur nuk e nënshkruam atë, ishte që nuk lejuam që punonjësit të kenë statusin e shërbyesve civilë dhe që asociacioni të jetë pronar i kompanive të ndryshme. Këtë e ndryshuam dhe bëmë që punonjësit e asociacionit mund të zhvendosen të punojnë në kompani, por nëse e bëjnë këtë do ta humbin statusin e shërbyesit civil. Dhe e dyta, ne nuk lejuam që asociacioni të jetë pronar i kompanive, por kemi pranuar të jetë bashkëpronar i firmave që kryejnë shërbime për qytetarët.”




















