Përmes tij erdhi në Lidhjen Demokratike të Kosovës. E pak vite më pas ia zuri karrigen.Pavarësisht miqësisë së dikurshme, Isa Mustafën nuk po e kënaq lidershipi i Lumir Abdixhikut.
Ish-kryeministri, thotë se kryetarit të LDK-së, i vjen turp nga e kaluara e partisë që e drejton.
“Vetëvendosje e ka mbjellë farën e tyre edhe tek LDK-ja, edhe te njerëzit e LDK-së të cilët sot në një formë turpërohen nga ajo që ka punuar LDK-ja në të kaluarën”, ka thënë Mustafa për Tëvë1.
Ai kërkon që sa më parë LDK të përdorë secilën mekanizëm për rrëzimin e Kurtit nga Qeveria.
I pakënaqur me lidershipin partiak, duket se është edhe ish numri dy i LDK-së.
Agim Veliu që rreth dy dekada udhëhoqi me Podujevën thotë se nuk ndryshon qëndrimin e dikurshëm për Lëvizjen Vetëvendosje.
“Moti ju kam treguar që Lëvizja Vetëvendosje nuk është zgjidhja për Kosovën. Aso kohe shumë kush nuk ka besuar por sot për ditë e më shumë po vërtetohen qëndrimet e mia edhe nga disa që më kanë linçuar, për shkak të qëndrimeve konsistente”, tha ai.
E po t’i kishin mundësitë e Abdixhikut, nga partia e Dardan Molliqajt thonë se qysh moti do ta rrëzonin Kurtin.
Përveç deklarimeve se Kurti nuk duhet të rrëzohet, në mënyrë që qytetarët ta marrin vesh se nuk është i aftë të qeverisë, Lumir Abdixhiku, ia pati thënë edhe këto fjalë kryeministrit.
Abdixhiku u zgjodh në krye të LDK-së në mars të vitit të kaluar, derisa ditë më parë ia mori Kurtit një deputete nga Grupi Parlamentar.