Kryetari i LDK-së Isa Mustafa është deklaruar lidhur me mundësinë e arritjes së një konsensusi të të gjitha partive politike për postin e presidentit.
Ai në Pressing të T7 ka thënë se zgjedhja e presidentit nuk duhet të shtyhet jo më vonë se janarin e ardhshëm, pas kushtetuesja nuk parasheh se çfarë duhet të ndodhë pas skadimit të periudhës gjashtëmujore të ushtrimit të detyrës së presidentit.
“Ne jemi deklaruar të pajtohemi për një zgjidhje ku LDK-ja do ta mbante qeverisjen, pra kryeministrin, që të hapen mundësitë për një marrëveshje. Nëse këmbëngulim për presidentin, vështirë se do të mund të zgjidhet situata”, tha Mustafa.
Gjatë formimit të koalicionit qeverisës me AAK-në, Isa Mustafa ka rikujtuar se nuk ka pasur marrëveshje për presidentin dhe në gjendjen aktuale kur koalicioni ka 61-64 vota, do të jetë e vështirë të sigurohen votat e mjaftueshme për kandidaturën e Ramush Haradinajt.
Mustafa thotë se zgjidhja më e mirë për presidentin është arritja e një konsensusi me të gjitha partitë politike, pasi beson se edhe në rast të zgjedhjeve të parakohshme nuk do të mund të krijohej një koalicion me 80 ulëse në Kuvend për të siguruar votat e nevojshme.
Ai tha se ka biseduar edhe me ushtruesin e detyrës së kryetarit të PDK-së Enver Hoxhaj, por ky i fundi nuk ka sqaruar pozicionet e kësaj partie për presidentin, ndërkohë që në opinion kanë bërë të ditur se do të mbështesin vetëm kandidatin që vjen nga radhët e PDK-së.