![](https://infosot.com/wp-content/uploads/2020/04/isa.png)
Zgjedhjet e 9 shkurtit do ta nxjerrin LDK-në të parën, pas masakrës që iu bë më 14 shkurt nga akterë të brendshëm e ndërkombëtarë. VV po përdor gjuhë denigruese e ofenduese në mungesë të rezultateve. Ka filluar ta ushtrojë opozitarizmin ende pa përfunduar zgjedhjet. Rexhep Qosjes nuk i eci hiç në politikë. Isa Mustafa flet për Reporteri.net
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, beson në rikthim të fuqishëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 9 shkurt. Mustafa, që ka udhëhequr me LDK’në për mbi 10 vjet, ka thënë se kjo parti do të dalë fituese në këto zgjedhje.
Në një deklaratë Mustafa e ka quajtur “masakër” e “lloj holokausti për zhbërje politike” atë që i ndodhi LDK’së para katër vitesh. Në zgjedhjet e vitit 2021, LDK doli e treta me 12,7 përqind. Sipas tij, në këtë rënie të LDK’së kontribuan akterët e brendshëm por edhe ndërkombëtarë.
“Mendoj se pas masakrës që iu bë LDK-së në vitin 2021 ( një lloj holokausti për zhbërje politike) nga shumë akter të brendshëm, por edhe ndërkombëtar, ajo falë atyre që i qëndruan besnik po rikëmbet, maskat e mashtrimeve dhe e profiterëve po bien, po merr përkrahje të gjerë të qytetarëve dhe do të delë fituese, sepse e meriton”, ka deklaruar Mustafa.
Në vend, tash e 19 ditë ka nisur fushata, edhe zyrtarisht. Fushatën e opozitës, Mustafa e ka cilësuar si shumë të emancipuar, e për partinë në pushtet ka thënë se po përdorë gjuhë ofenduese e denigruese në mungesë të rezultateve.
Thotë se ka filluar të ushtrojë opozitarizmin ende pa përfunduar zgjedhjet.
“Me mesazhe pozitive, oferta të qarta e respektim të qytetarëve, si LDK, PDK, AAK por edhe Lista për familjen, si subjekt i ri zgjedhor. Në të kundërtën VV në mungesë të rezultateve, po shërbehet me gjuhë ofenduese dhe denigruese. Kam përshtypjen se po e ofendon dhe dëmton më shumë vetëveten sesa të tjerët. Ose se nuk ka besim të qeverisë dhe ka filluar ta ushtrojë opozitarizmin para se të përfundojnë zgjedhjet”, ka thënë Mustafa.
Para dy ditësh, për zgjedhjet e 9 shkurtit bëri një postim edhe akademiku Rexhep Qosja, kundërshtari i përbetuar i Presidentit Historik Ibrahim Rugova.
Qosja tha se ka vendosur që të dalë në zgjedhje pas 25 vjetësh, duke theksuar se hera e fundit kur ka votuar ka qenë viti 2000. Ai doli hapur në mbështetje të Kryeministrit Albin Kurti.
Për deklaratat e Qosjes në këtë postim, Mustafa ka pasur një përgjigje të shkurtë.
“Akademik Qosja është shkrimtar dhe intelektual i njohur. Në politikë nuk i eci hiç”, ka thënë Mustafa.
Ndryshe, Isa Mustafa ka udhëhequr me Lidhjen Demokratike të Kosovës nga viti 2010 deri në vitin 2021. Pas rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit, Mustafa dha dorëheqje nga kjo pozitë, duke u bërë kryetari i parë i kësaj partie që jep dorëheqje.