Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se pezullimi i marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë është i natyrshëm, duke shtuar se hapat e ardhshëm për çështjen e AKS-në varen nga vendimi i Gykatës Kushtetuese.
“Mendoj se çështja e pezullimit është e natyrshme se edhe po të mos kishte një vendim të tillë, objektivisht do të pezulloheshin të gjitha veprimet sa i përket Asociacionit derisa Gjykata të mos sjellë ndonjë vendim”, ka thënë Mustafa në një intervistë për televizionin publik.
Mustafa më tej tha se është e panatyrshme të punohet në implementim të marrëveshjes së AKS-së për derisa ajo është në shqyrtim, dhe se pezullimi nuk do të thotë se marrëveshja është anuluar.
“Është e panatyrshme të punohet në implementimin e marrëveshjes derisa çështja është në shqyrtim pranë Gjykatës Kushtetuese. Pezullimi nuk do të thotë se marrëveshja është anuluar ose është vlerësuar, por nënkupton se Gjykata Kushtetuese e ka marrë në trajtim dhe posa ta marrim vendim ne do të veprojmë në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Mustafa për televizionin publik.
Kryeministri për dialogun me Serbinë, ka thënë se do të vazhdojë. Ndërsa sa i përket funksionimit të koalicionit PDK-LDK, ai ka thënë se ky koalicion do të funksionojë deri në vitin 2018.


















