Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka kritikuar politikat e kryeministrit, të Kosovës, Albin Kurti, rreth zhvillimeve të fundit karshi dialogut me Serbinë.
“Ne kemi pritur gjithmonë një zgjidhje të tillë që marrëveshja e fundit të jetë marrëveshje përfundimtare dhe jo vetëm një marrëveshje që siguron qetësi, stabilitet, një status quo dhe asgjë tjetër. Kjo më preokupon, kjo situatë do të zgjasë dhe stërzgjasë çështjen e dialogut”, tha ai.
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se vetmenaxhimi i komunave është krejtësisht tjetër, që do të thotë se serbët kanë të drejta asimetrike në krahasim me komunitetet e tjera.
Ai tha se Kurti duhet të sqarojë tek qytetarët se çka ka pranuar në Bruksel. “Duhet të sqarohet para qytetarëve se çka është ai vetmenaxhim, a është autonomi”, theksoi ai për transmetuesin publik. Sipas tij, me këtë marrëveshje serbët kanë një lloj ‘autonomie’.
Kurse për LDK, Mustafa tha se ajo ka mbajtur një konstancë karshi dialogut. Ai tha se nuk mund të çojmë asnjë marrëveshje përpara pa partnerin tonë strategjik, SHBA-në.